Rasti “Monstra”: Përleshje mes protestuesve dhe policisë në Shkup

Protesta e sotme në Shkup kundër vendimit gjyqësor për rastin “Monstra”, ka përfunduar dhe gjithë protestuesit janë shpërndarë.

Protesta që ishte paralajmëruar të fillonte nga parku i Çairit në Shkup, nuk përfundoi ashtu siç ishte paralajmëruar, pra para Gjykatës së Shkupit.

“Gjithçka eskaloi se protesta u ndal nga kordoni i policisë dhe u përkeqësua pasi disa nga protestuesit filluan që të gjuajnë policinë me gurë e gjësende të forta. Ka policë që janë lënduar”.

“Në vazhdimësi erdhën automjete të rënda policore dhe drejtuesi i kësaj proteste, Bedri Hajdari, u kërkoi protestuesve që të ndahen në mënyrë të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve nga ana e policisë”, deklaroi korrespondentja nga Shkupi.

Kërkesat e protestuesve ishin që të dorëhiqen prokurorët dhe gjykatësit, sepse siç thanë, kanë shumë raste të montuara dhe kërkuan ndërhyrje ndërkombëtare.

Jo zyrtarisht bëhet e ditur se policia është në kërkim të disa protestuesve të tjerë, organizatorë, meqë protesta u zhvillua në mënyre të dhunshme dhe jo e qetë siç ishte paralajmëruar.