Reagon Bordi i RTK-së: Jemi profesional, do të ndjekim rrugët ligjore

Kuvendi i Republikës së Kosovës, me 64 vota për ka shkarkuar sot kryetarin dhe shtatë anëtarët e Bordit të Radio Televizionit të Kosovës.

I shpejtë ishte reagimi i tyre, ku përmes një komunikate veprimin për shkarkim e quajtën politik, antiligjor dhe ndërhyrje flagrante në punën e transmetuesit publik.

Po ashtu ata thanë se bordi aktual është profesional dhe se do të ndërmarrin të gjitha rrugët ligjore për ta kundërshtuar këtë vendim që sipas tyre është arbitrar.

Reagimi i Bordit të RTK-së:

Veprimi i sotëm i shumicës parlamentare në Kuvendin e Kosovës për shkarkimin e Bordit të RTK-së është politik, antiligjor dhe paraqet ndërhyrje flagrante në punën e transmetuesit publik.

Ky vendim është goditje e rëndë ndaj vlerave demokratike dhe lirisë së mediave.

Arsyetimi i shumicës parlamentare për shkarkimin e Bordit të RTK-së nuk ka asnjë argument faktik, përpos motivit të qartë politik. Bordi aktual ka qenë një ndër bordet më profesionale, i përbërë nga emra të njohur të fushës akademike dhe të mediave.

Bordi i RTK-së do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për ta kundërshtuar këtë vendim arbitrar.

Bordi i RTK-së i bën thirrje organizatave vendore dhe ndërkombëtare të cilat merren me mbrojtjen e lirisë së mediave që të reagojnë ndaj këtij vendimi politik dhe arbirtrar të shumicës parlamentare në Kuvendin e Kosovës.