Reagon Bulliqi: Pretendimet për sulm fizik ndaj një qytetari janë trillime dhe inskenime të ulëta

Sot një shërbyes civil i Komunës së Podujevës e ka denoncuar në Policinë e Kosovës, kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqin, me pretendimet se ky i fundit ka ushtruar ndaj tij dhunë fizike dhe verbale gjatë kohës sa ishte në ambulancë me nënën e tij.

Qytetari në fjalë i kishte thënë Policisë së Kosovës se derisa kishte qenë duke kërkuar ndihmë mjekësore bashkë me nënën e tij në shtëpinë e shëndetit në Podujevë , ishte sulmuar verbalisht dhe fizikisht nga kryetari i kësaj komune, Shpejtim Bulliqi.

Pas kësaj ka reaguar vetë Bulliqi duke theksuar se këto pretendime janë krejtësisht të pavërteta dhe se kanë për qëllim të vetëm dëmtimin e reputacionit të tij si udhëheqës i Komunës së Podujevës , si dhe të subjektit politik të cilit i takon në zgjedhje të 14 shkurtit.

Bulliqi tutje sqaroi se gjatë vizitës së tij në Qendrën Klinikë Mjekësore Familjare ka qenë i shoqëruar nga Drejtori i Shëndetësisë, Driton Veliu, si dhe drejtori i QKMF-së, Ymer Llugaliu dhe mjekë e infermierë të tjerë, të cilët mund ta dëshmojnë se aty nuk ka ndodhur asgjë.

Reagimi i plotë:

Sqarim lidhur me një lajm që po qarkullon në portale të ndryshme, se gjoja sot kam sulmuar një zyrtar komunal në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare.

Këto pretendime janë krejtësisht të pavërteta dhe shpifje me qëllim të vetëm për të dëmtuar reputacionin tim si kryetar i Komunës dhe të subjektit tim politik në prag të zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Gjatë vizitës sime në QKMF, unë kam qenë i shoqëruar nga drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë, Driton Veliu, drejtori i QKMF-së, Ymer Llugaliu dhe mjekë e infermierë të tjerë, të cilët mund ta dëshmojnë lehtë se aty nuk ka ndodhur asgjë dhe të gjitha pretendimet e këtij zyrtari janë trillime dhe inskenime të ulëta.

Lexo edhe:

Shpejtim Bulliqi denoncohet se sulmoi fizikisht një qytetar në ambulancë