Reagon ish këshilltari i Thaçit: Në të njëjtën ditë para 27 vitesh policia serbe kishte bastisur shtëpinë e Thaçit e Veselit

Një ditë më parë, ish presidentit të vendit, Hashim Thaçi bashkë dhe kreun e PDK-së Kadri Veseli, iu është konfirmuar aktakuza nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, në lidhje me pretendimet për krime të kryera gjatë luftës në Kosovë.

E mëngjesin e sotëm forca të EULEX-it, kanë kryer e po vazhdojnë të kryejnë bastisje në shtëpinë e dy prej tyre bashkë me atë të Rexhep Selimit.

Në lidhje me këtë ka reaguar ish këshilltari i Thaçit, Adil Behramaj.

Ai ka thënë se pikërisht në të njëjtën ditë 27 vite më parë ishin bastisur shtëpitë e Thaçit e Veselit nga policia serbe.

Derisa atëherë kërkoni për t’i arrestuar, siç ka shkruar Behramaj, tani po kërkohen materiale për ti gjykuar.

“As pas gati tri dekadave nuk reshtën përpjekjet për t’i gjykuar themeluesit e UÇK-së!”, ka shkruar ai.

Statusi i plotë:

Ka qenë viti 1993, kur policia serbe kishte bastisur në të njëjtën ditë shtëpinë e Hashim Thaçit dhe atë të Kadri Veselit. Dytë në atë kohë ishin në kulmin e përpjekjeve për formimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sot, 27 vjet pas, sërish po bastisen përnjëherë shtëpitë e tyre. Por, atëherë i kërkonin për t’i arrestuar. Ndërsa, këta tjerët po kërkojnë material për t’i gjykuar. As pas gati tri dekadave nuk reshtën përpjekjet për t’i gjykuar themeluesit e UÇK-së!