Reagon Lista Serbe: Masa e parë e gjobës, shkak për përgjigje të ashpër të popullit serb

Lista Serbe deklaroi përmes një reagimi zyrtar se masa e parë e gjobës do të jetë shkak për përgjigje dhe rezistencë të ashpër të popullit serb.

Kjo, sepse “jemi të vetëdijshëm për qëllimet reale të pushtetarëve nga Prishtina”.

Njoftimi i Listës Serbe vjen përkundër masave që qeveria mori, duke shtyrë afatin për konfiskim të veturave me targa ilegale deri më 21 prill të vitit 2023.

“Të gjithë ata që mendojnë se populli ynë do të vëzhgojë në heshtje debatin, heqjen e targave KM, pra lirinë e lëvizjes dhe rrezikimin e mbijetesës sonë, gabojnë shumë”, vijon deklarata e forcës politike.

Sipas tyre, njoftimi i kryeministrit të Kosovës (Albin Kurti) nuk është gjë tjetër “veçse dëshirë për të vazhduar me planin e dëbimit të serbëve nga shtëpitë e tyre shekullore”.

“Shfrytëzojmë rastin t’u përcjellim edhe një herë një mesazh të qartë qytetarëve tanë nga presidenti Aleksandar Vuçiç, serbët në Kosovë nuk janë vetëm dhe as shteti i Serbisë nuk do të lejojë persekutimin dhe dëbimin e popullit tonë”, përmbyllet reagimi zyrtar i Listës Serbe.

Lajmi në përditësim… /Albanianpost.com