Reçica: S’do t’i votojmë marrëveshjet ndërkombëtare

Dy partitë opozitare PDK-ja dhe AAK-ja kanë marrë vendim që të mos votojnë asnjë marrëveshje ndërkombëtare.

Madje, PDK-ja ka shkuar edhe përtej kësaj.

Nga kjo parti, kanë deklaruar se s’ka votim deri në caktim të datës së zgjedhjeve.

Për, këtë deputeti i PDK-së, Elmi Reçica thotë se s’kanë ndryshuar qëndrim.

“PDK-ja ka një qëndrim të grupit parlamentar, të kryesisë së partisë dhe organit më të lartë në mes të dy konventave të Këshillit Drejtues dhe derisa nuk mblidhet Këshilli Drejtues për ta rishqyrtuar këtë çështje qëndrimi i PDK-së, do të jetë i tillë dhe nuk po e lidhi as me datën e zgjedhjeve, as me ndonjë çështje tjetër”, ka thënë ai.

Sipas Reçicës, si të votohen marrëveshjet ndërkombëtare kur Qeveria Kurti ka 700 milionë euro suficit dhe ka ndaluar të gjitha projektet kapitale.

“Mirëpo, si të votohen marrëveshjet ndërkombëtare kur 700 milionë euro i ka suficit kjo qeveri, i ka ndaluar gati se të gjitha projektet e mëdha kapitale, është duke i dëmtuar të gjitha kompanitë, është duke bërë veprime të cilat nuk janë në përputhje me një qeveri e cila e don këtë vend, me një kryeministër i cili e don këtë vend dhe këtu është çështja kyçe nëpër sa afera ka kaluar jo qeveri deri tash, prej Martina Berishajt e deri te rezervat shtetërore, sa herë është shkelë Kushtetuta e Kosovës nga kjo nomenklaturë udhëheqëse”, është shprehur deputeti Reçica.