Refugjatët afganë, Kurti takohet me përfaqësues të dhjetëra shteteve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim online me përfaqësues të dhjetëra shteteve dhe organizatave ndërkombëtare, për të diskutuar situatën humanitare në Afganistan.

Ky takim u organizua nga zëvendëssekretarja e Shtetit amerikan, Wendy R. Sherman dhe nënsekretarja e Shtetit për Çështje Politike, Victoria Nuland, të cilët në emër të qeverisë amerikane shprehën vlerësimin e tyre të thellë për shtetet mike, duke përfshirë këtu edhe Kosovën, që kanë treguar vullnetin dhe ofruar gatishmërinë e tyre për të strehuar përkohësisht qytetarët afganë, thotë Zyra e Kryeministrit.

Sherman potencoi se të gjitha shpenzimet nga strehimi i përkohshëm i qytetarëve afganë do të mbulohen nga qeveria amerikane.

Në mbledhjen saj të 26-të, Qeveria ka marrë vendim për dhënien e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan. Ekipet përkatëse të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë në komunikim të vazhdueshëm në lidhje me hollësitë e strehimit të tyre.