Rekomandimet e Avokatit të Popullit nuk merren seriozisht nga institucionet

Rekomandimet e Avokatit të Popullit, për rastet e dhunës në familje dhe të dhunimit të 11-vjeçares, nuk po merren seriozisht nga institucionet përgjegjëse. Shkaku i moszbatimit të rekomandimeve, sipas shoqërisë civile, po vjen deri te përsëritja e rasteve të rënda.

Në 4 raporte të Avokatit të Popullit, për 3 vrasje që paraprakisht viktimat kishin raportuar dhunën në familje, e dhunimin e 11-vjeçares, Policia e Kosovës, ka marr më së shumti rekomandime, si shkak i neglizhencës e dështimit gjatë trajtimit të tyre.

Për përmirësim të qasjes karshi këtyre rasteve, dhe për dhënie të llogarisë ndaj zyrtarëve që dështuan, Avokati i Popullit, ka nxjerr rekomandime për Këshillin Prokurorial e atë gjyqësor të Kosovës.

Nga Policia e Kosovës, nuk kanë kthyer përgjigje, derisa në Këshillin Gjyqësor e atë prokurorial kanë thënë se çdo herë rekomandimet e këtij institucioni janë marr parasysh.

Edhe KPK-ja ka thënë se raportin e fundit për 11-vjeçaren është duke u trajtuar.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka pranuar raportet e Avokatit të Popullit sa u përket rasteve që keni përmendur dhe çdoherë iu ka përgjigjur AP-së lidhur me rekomandimet që kanë pasur të bëjnë me KPK-në. KPK-ja poashtu ka pranuar edhe raportin e fundit lidhur me rastin e dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë dhe autoriteti kompetent është duke e trajtuar dhe Avokati i Popullit do t’i informohet me kohë. Autoriteti kompetent në kuadër të KPK-së, pas shpalljes së Aktgjykimit për rastin e Sebahate Morinës, ka ndërmarrë masat e nevojshme, duke bërë kërkesë për hapjen e procedurës disiplinore ndaj një prokurori”, thuhet në përgjigjen e KPK-së.

Zëvendësja e Avokatit të Popullit, Anita Çavdarbasha – Korenica, rikujton obligimin e institucioneve për zbatimin e tyre.

“Është e rëndësishme shumë që rekomandimet e Avokatit të Popullit, të merren parasysh për arsye se këto rekomandime, parashihen me Kushtetutën e Republikës së Kosovës në të cilën avokati i Popullit ka të drejtë të propozojë masa dhe rekomandime për institucionet”, ka deklaruar, Anita Çavdarbasha- Korenica – zëvendëse e Avokatit të Popullit

E Arrita Rezniqit, hulumtuese në IKD, thotë se mos marrja parasysh e këtyre rekomandimeve, rrit edhe mungesën e llogaridhënies nga institucionet përgjegjëse.

“Rekomandimet që jepen të zbatohen në praktikë, të merren seriozisht dhe pastaj të përmirësohet situata në trajtimin e këtyre rasteve në të ardhmen, e që fatkeqësisht kjo asnjëherë nuk ka ndodhur, dhe në vazhdimësi po kemi përsëritje të këtyre rasteve, po kemi dështim të institucioneve, të zinxhirit institucional në trajtimin e këtyre rasteve dhe pasojat po i bartin qytetarët në veçanti grupet e ndjeshme”, ka thënë ajo.

Në raportin e fundit të publikuar nga Avokati i Popullit gjatë këtij muaji, është trajtuar rasti i dhunimit të 11-vjeçares, 2 herë brenda pak muajsh. Njëri nga 8 institucionet, që i është dhënë vërejtje është Qendra për Punë Sociale në Prishtinë.

Së voni, Këshilli Prokurorial, vetëm pas nxjerrjes së aktgjykimi nga Gjykata Kushtetuese, që konstatonte se Sebehate Morinës i ishte shkelur e drejta për jetë, ndërmori hapa duke nisur procedura disiplinore ndaj prokurorit të rastit.

Një konstatim të tillë, se institucionet kishin dështuar t’i ofronin siguri të ndjerës, avokati i Popullit e kishte nxjerrë në vitin 2021.

Por, në raportin e fundit të Avokatit të Populli, për vitin 2022, theksohet se vetëm 23% të institucioneve kanë zbatuar rekomandimet që janë dhënë, e rreth 70% janë ende në pritje. /Dukagjini/