Rekord ekipesh shqiptare në Evropë

Si asnjëherë më parë, të enjten plot shtatë skuadra shqiptare kanë garuar në futbollin evropian. Bëhet fjalë për raundin e parë kualifikues të Ligës së Evropës. Tutje kaluan pesë prej skuadrave shqiptare, që vlerësohet bilanc shumë pozitiv.

Në raundin e dytë kanë kaluar Kukësi, Laçi e Teuta të Shqipërisë si dhe Shkëndija e Renova të Tetovës. Janë ndalur Gjilani e Shkupi, derisa në raundin e dytë kualifikues do të luajë Drita e Gjilanit e në të tretin Tirana, transmeton koha.

Skuadrat e Shqipërisë kanë mbyllur një ditë me bilanc të qind për qindtë.

Kukësi luajti në Tiranë ndaj skuadrës së njohur bullgare, Slavia Sofje. Fitoi me shifrat 2:1.

Patrick Eze realizoi penallti në minutën e 56-të për Kukësin kurse rezultatin e barazoi Kaloyan Krastev në minutën e 81-të. Katër minuta më vonë, Godberg Cooper realizoi golin e fitores për kuksianët.

“E rëndësishme është që kaluam këtë ndeshje për të gjithë grupin dhe për të gjithë tifozët. Lojtarët dhanë shpirtin për fitore. Do të shikojmë ku kemi çaluar dhe do të përmirësohemi. Kemi nevojë për përmirësime”, ka thënë trajneri i Kukësit, Skënder Gega.

Për herë të parë të gjitha skuadrat e Shqipërisë kanë kaluar nga një xhiro në Evropë. Kampionia, Tirana, e mposhti Dinamo Tbilisin në raundin e parë kualifikues të Championsit. Por u ndal në raundin e dytë, nga Cërvena Zvezda, të martën. Tirana luajti më mirë, por Zvezda shënoi golin dhe avancoi.

Ndërkohë të enjten në Ligën e Evropës fituan edhe Laçi e Teuta.

Laçi pas penalltive e mposhti Keshlan e Azerbajxhanit. Ndeshja u luajt në Baku, ndërsa pas kohës së rregullt dhe vazhdimeve nuk kishte gola. Alen Sherri priti goditjen vendimtare.

Teuta e Durrësit fitoi 2:0 ndaj Beitar Jerusalemit të Izraelit, falë golave të Blerim Krasniqit dhe Rubin Hebajt. Ndeshja u luajt në Durrës.

Në udhëtim fitoi edhe Shkëndija e Tetovës, ndaj skuadrës azerbajxhanase, Sumqayit. Besart Ibrahimi realizoi penallti në minutën e 56-të për 1:0. Lupçe Doriev shënoi penallti tjetër në minutën e 89-të.

Edhe Renova fitoi si mysafire, 1:0 ndaj Alashkertit të Armenisë. Nenad Miskovski shënoi golin e vetëm në minutën e 58-të.

Me skuadrën e njohur azerbajxhanase, Neftçi, është përballur Shkupi, një tjetër skuadër shqiptare nga Maqedonia e Veriut. Neftçi fitoi 2:1./Fokusi.info/