Rënia e eksporteve nga Shqipëria në Kosovë, faktorët që mund të kenë ndikuar

Pavarësisht vendosjes së tarifës 100% nga ana e Kosovës kundrejt produkteve serbe të importit, kjo nuk ka ndikuar në rritjen e eksporteve të Shqipërisë drejt saj, edhe pse pritshmëritë ishin ndryshe.
Ndërsa shifrat zyrtare të INSTAT të Dhjetorit 2018 dhe Janarit 2019 tregojnë rënie të eksporteve shqiptare me Kosovën, drejtoresha e INSTAT shpjegon për SCAN se cilat mund të jenë arsyet.
“Unë besoj që politikat fiskale që merr një vend apo një tjetër nuk mund të kenë efektin e menjëhershëm. Duhet të kalojë një cikël, duhet të kalojnë disa kohë që të ketë efekt, pasi, nëse do të materializohet pritshmëria e bizneseve shqiptare, bizneset kosovare mund të kenë pasur stok të produkteve, pasi taksa është vendosur shumë vonë. Nuk ka kaluar aq kohë sat ë ketë mbaruar stoku dhe të materializohet kjo rritje e eksporteve shqiptare drejt Kosovës.”
Po ashtu, drejtoresha e INSTAT ka edhe një shpjegim sa i përket rënies së përgjithshme të eksporteve në muajin Janar, ku sipas saj lidhet me kontratat e industrisë me material porositësi.
“Peshën kryesore të eksporteve shqiptare e kanë produktet e tekstileve dhe këpucëve që janë të lidhura më industrinë e fasonerisë. Duke qenë se janë të lidhura, në përgjithësi ne kemi vënë re që ndër vite që niveli i eksporteve të fasonerisë ndryshon në bazë të kontratave porositëse. Dhe mund të jetë që të jetë materializuar pikërisht ky efekt, pra që janari të mos jetë një muaj i cili është i lidhur me ecurinë e fasonerisë. Për këtë është e nevojshme të shohim se si do shkojë shkurti dhe marsi për të kuptuar nëse ka pasur një rënie të kontratave apo thjesht është efekt që kontratat lidhen në shkurt dhe në mars dhe jo në janar.”
Gjatë janarit u eksportuan drejt Kosovës vetëm 1.08 miliardë lekë mallra, nga 2.14 miliardë lekë të muajit paraardhës, pra në rënie me 98.1% në terma mujorë.
Rënia vihet re dhe në terma vjetorë, në 1.08 miliardë lekë gjatë muajit që lamë pas, nga 1.35 miliardë lekë të janarit të vitit 2018. Në terma vjetorë, rënia fiksohet kështu në 25%.