Rinis dialogu me Serbinë, të enjten mblidhet Kuvendi i Kosovës

Më 24 shkurt Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë plenare.

Në seancë pritet të diskutohet edhe për dialogun Kosovë-Serbi.

Kështu ka bërë të ditur shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila.

Ndërsa, në seancë do të diskutohet edhe për ratifikimin e marrëveshjeve për sigurime shoqërore në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë dhe për projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Shqipërisë për zbatimin e lehtësirave doganore.

Kusari ka thënë se në këtë seancë do të bëhet shqyrtimi i dytë të ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për shtijen e banesave, shqyrtimi i parë i projektligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar, shqyrtim i parë i projekt-kodit civil dhe formimi i një komisioni adhok, për përzgjedhjen e një kandidati për bordin e RTK-së nga radhët e komuniteteve të tjera jo shumicë.

Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të AAK’së, Besnik Tahiri ka thënë se qeveria duhet të qartësojë raportin e saj në dialogun me Serbinë.

Nën drejtimin e kryetarit Glauk Konjufca, Kryesia vendosi që, përveç seancës së nesërme (të përcaktuar në mbledhjen e kaluar të Kryesisë), Kuvendi të mblidhet në seancë plenare edhe të enjten, më 24 shkurt 2022, në të cilën pritet të shqyrtohen disa projektligje, të zhvillohet një debat, si dhe të shqyrtohen çështje të tjera të përcaktuara në rend të ditës.

Seanca do të fillojë me deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare, për të vijuar me shqyrtimin e Projektligjit nr.08/L-126 për ratifikimin e Marrëveshjes për sigurime shoqërore në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, si dhe atë për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e lehtësirave doganore dhe/ose të kontrollit të hyrjes/daljes së mallrave.

Më pas, Kuvendi do të debatojë në lidhje me zhvillimet në dialogun Kosovë – Serbi, për të vijuar me shqyrtimin e dytë të Projektligjit nr. nr.08/L-011 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr.04/L-061 për shitjen e banesave për të cilat ekziston e drejta banesore.

Për herë të parë, ndërkaq, pritet të shqyrtohet Projektligji nr.08/L-005 për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, Projektligji nr. 08/L-117 për Qeverinë e Republikës së Kosovës, Projektligji nr. 08/L-023 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-064 për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës.

si dhe Projekt-Kodit Civil i Republikës së Kosovës nr. 08/L-124.

Në rend dite të kësaj seance do të jetë edhe formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radhët e komuniteteve tjera jo shumicë.