Rivarroset dëshmori Brahim (Islam) Morina

Sot, në 23 vjetorin e rënies heroike, në varrezat e dëshmorëve në Malishevë u zhvillua ceremonia e rivarrimit të dëshmorit të kombit Brahim Islam Morina, nga fshati Drenoc i Malishevës, shkruan Fokusi.info.

Familja Morina, bashkëluftëtarët, miqtë dhe shokët e dëshmorit patën shumë emocione, dhembje por edhe krenari.

Të pranishëm në këtë ceremoni të rivarrimit ishin edhe figura të shquara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fatmir Limaj, Ramush Haradinaj, përfaqësues të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, Faton Klinaku, Xhavit Jashari, Fadil Shurdhaj, kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, përfaqësues të autoriteteve qendrore e lokale, si dhe qytetarë të shumtë nga i gjithë vendi.

Fjalë rasti për jetën dhe veprën e dëshmorit mbajti kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës dega në Malishevë, Metush Kryeziu.

Në këtë ceremoni, ish-komandanti i Brigadës 121, Fatmir Limaj, tha se, rivarrimi i dëshmorit të kombit, Brahim Ismal Morina, nënkupton vendosjen pranë shokëve të tij dëshmorë, të cilët u flijuan për lirinë e atdheut.

“Nuk ka krenari më të madhe se sa, të nderosh e respektosh dëshmorët e kombit dhe gjakun e derdhur për lirinë e Kosovës”, ka thënë Limaj.

Gjithashtu, një fjalë rasti ka mbajtur edhe Ramush Haradinaj, i cili tha se dashuria për atdheun e tokën shqiptare e ka dërguar deri në flijim dëshmorin e kombit, Brahim Morina.

Pas ceremonisë së rivarrimit, në 23 vjetorin e rënies së Brahimit, është mbajtur edhe një Akademi Përkujtimore në shtëpinë e kulturës “Tahir Sinani” në Malishevë.

Ne këtë akademi përkujtimore, kryetari i Malishevës, Ekrem Kastrati, tha se Brahim Morina, ishte një veprimtar i madh, që u lind, u rrit dhe u flijua me nder e krenari, ashtu siç ndër breza këto vlera i kultivonte familja me traditë të pastër kombëtare e patriotike nga Drenoci i Malishevës.

“Ne duhet të jemi të lumtur e krenar, që Baca Brahë, tashmë është krah shokëve të tij të luftës, krah gjithë atyre që i ka bashkuar një mision i madh e gjithë popullor për çlirim e liri, krah bashkëluftëtarëve të tij, krah miqve më të mirë që dhanë jetën për atdhe”, tha Kastrati.

Për jetën dhe veprën e dëshmorit, fjalë rasti mbajti edhe kryetari i shoqatës së familjeve të dëshmorëve, Xhavit Jashari.

Në fund të Akademisë Përkujtimore, është shfaqur edhe një dokumentar kushtuar jetës dhe veprës së dëshmorit./Fokusi.info/