Robelli pas rastit të kërcënimit: Me kërcënimet e gjuhën agresive të VV-së mbushet një libër

Gazetari nga diaspora, Enver Robelli ka komentuar kërcënimin që z.Haxhi Hoti i bëri z.Albin Kurti gjatë ditës së djeshme.

Kujtojmë se z.Hoti kishte deklaruar se Kurti kishte mbështetjen e popullit por nuk ishte në interes të shtetit, dhe se prandaj ose duhej ta linte vendin ose të vritej.

Robelli ka komentuar një deklaratë të tillë duke thënë se “Sa i përket kërcënimeve e gjuhës agresive ndaj të tjerëve kjo parti nuk është libër i pashkruar. Në fakt, me kërcënimet e saj do të mbushej një libër.”

Ai i bën thirrje kësaj partie që t’i lë anash hipokrizinë dhe “pallavrat vetëviktimizuese” e të sillen në nivelin e përgjegjësisë që kanë marrë më 6 tetor.

Më poshtë e keni të plotë statusin e z.Robelli:

Çdo kërcënim me jetë ndaj tjetrit – qoftë politikan apo, siç thuhet, qytetar i thjeshtë – duhet të ketë pasoja ligjore. Huliganizmi gjuhësor nuk duhet të tolerohet. Këtë duhet ta kuptojnë të gjithë, natyrisht edhe Lëvizja Vetëvendosje. Sepse sa i përket kërcënimeve e gjuhës agresive ndaj të tjerëve kjo parti nuk është libër i pashkruar. Në fakt me kërcënimet e saj do të mbushej një libër. Andaj, lëreni anash hipokrizinë dhe pallavrat vetëviktimizuese, tejkalojeni pubertetin politik, silluni në nivelin e përgjegjësisë që keni marrë më 6 tetor. Këtij që u arrestua për shkak të kërcënimit me jetë të kryetarit të VV-së mund t’i urojmë Vitin e Ri në qeli, ndërsa Kosovës një vit të mbarë.