“Rozeta Hajdarit ia zhvati afër 600 mijë euro mashtruesi polak Tomasz Tokarski”

Pronari i kompanisë polake “Xanto Sp. z.o.o”, Tomasz Tokarski, i cili ka marrë rreth 600 mijë euro nga shteti kosovar për vaj dhe sheqer të Rezervave Shtetërore – mall ky që s’ka ardhur kurrë – del të ketë edhe histori tjera mashtrimi biznesorë, raportoi Albanian Post.

Tokarski, i cili është kontraktuar nga Ministria e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë për furnizim me vaj dhe sheqer, siç raporton gazetari Lirim Mehmetaj, ka edhe një produkt mashtrues që pretendon “shërimin e kancerit”.

E me këtë “bimë shëruese” që ai e ka si produkt të tij, biznesmeni kontraverz polak ka prodhuar mashtrime edhe në vend të vet.

Mediumi Newsbeezer.com përmes një shkrimi të gjatë ka diskutuar me disa nga personat që janë mashtruar nga Tokarski.

“Shumë e përsërisin shprehjen: nëse një ofertë investimi duket shumë e mirë, ajo duhet të shmanget. Ky rregull nuk u ndoq nga disa qindra polakë të cilët investuan në kompaninë polake XANTO. Produkti i tij kryesor është Humulus lupulus, cili është quajtur “mbreti i antioksidantëve” .

Newsbeezer ka kontaktuar edhe me pronarin e kompanisë XANTO Tomasz Tokarski.

“President i Xanto në një bisedë telefonike tha se nuk ka shumë kohë për shkak të qëndrimit jashtë vendit dhe se do t’i përgjigjet me email pas kthimit nga delegacioni. Deri në publikimin e këtij shkrimi, ai nuk është përgjigjur”, vazhdon shkrimi.

Në shkrimin e sponzorizuar nga Tokarski produkti që promovon kompania XANTO konsiderohet natyral dhe shumë efikas në shërbimin e sëmundjeve.

“Hopi i zakonshëm ( Humulus Lupulus) është përdorur në mjekësi për shekuj – shpjegon Tomasz Tokarski, President i Bordit Drejtues të Xanto, një kompani polake e cila është e vetmja e licencuar në botë e një patente për një teknologji unike të marrjes së xanthohumol me pastërti maksimale të mundshme”, thuhet në shkrimin e botuar, që reklamon produktin e kompanisë mashtruese.

Albanian Post ka dërguar pyetje në adresën e XANTO-së duke i pyetur se kur do ta sjellin sheqerin dhe vajin në Kosovë, por që nuk janë përgjigjur.

Tomasz Tokarski po ashtu në vitin 2013 përmes një projekti kishte tentuar që t’i bind biznesmenët që të investojnë për transmetimin e filmave në kinema në 6D, por edhe ky projekt si të tjetër i kishte dështuar.

Tokarski, sipas avokatit Mahmut Halimi që përfaqëson Ridvan Muharremin, ishte edhe në Kosovë, por organet ligjzbatuese nuk kanë ndërmarr asnjë veprim. Pak a shumë historia është si në filma, personi që ka zhvatur mallin e rezervës qëndroi në Kosovë dhe shpëtoi pa therrë në këmbë.

AP ka dërguar pyetje edhe në Prokurorinë Speciale, për ta marrë një qëndrim në lidhje me pronarin e kompanisë XANTO, por që nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij shkrimi.

AP nga burime brenda Organeve të Drejtësisë merr vesh se më vonë Ministria e Rozeta Hajdarit përkundër përpjekjeve nuk ka arritur t’i bie në kontakt pronarit të kompanisë XANTO.

Nga ky skandal tre persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës dhe iu është caktuar 30 ditë paraburgim nga Gjykata, për shkak të anashkalimit të procedurave ligjore për blerjen e rezervave shtetrore.

Nga Prokuroria Speciale akuzohen dy zyrtarë të MINT drejtori i Departamentit të Rezervave Shtetrore, Hafiz Gara, Drejtori i Integrimeve Evropiane, Irfan Lipovica dhe Ridvan Muharremi, afarist.

Organi i Akuzës i ngarkon Garën e Lipovicën se kanë anashkaluar ligjin e Prokurimit Publik kur kanë kërkuar që malli të blihet pa procedura, por me negocim.

Prokuroria në Dosje thotë se buxheti i Kosovës është dëmtuar 600 mijë euro si shkak i mos ardhjes së vajit, sheqerit dhe 52 tonë grurë.