Stano: Lajçak viziton Kosovën dhe Serbinë më 21 tetor, do të diskutohet zbatimi i marrëveshjeve të arritura

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka njoftuar sot se i dërguari special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak do të vizitojë Beogradin dhe Prishtinën më 21 tetor.

Stano tha se Lajçak po vjen së bashku me të dërguarit special të presidentit francez, kancelares gjermane dhe kryeministrit italian, Emmanuel Bono, Jens Plettner dhe Francesca Tal, si dhe të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Lajçak do të takohet me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në Beograd dhe me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në Prishtinë.

Stano tha se qëllimi i vizitës është të arrihet progres konkret në zbatimin e Marrëveshjes në rrugën e normalizimit dhe deeskalimit pas ngjarjeve të fundit.

Sipas Stano, shtetet anëtare të Unionit dhe SHBA-të mbeten mbështetës të fuqishëm të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe të ardhmes evropiane të gjithë rajonit.

“Ne kemi pritshmëri të qarta se palët do të vazhdojnë procesin e normalizimit dhe do të përmbushin detyrimet e tyre pa vonesa dhe kushte”, tha ai.