Rrahja në Kuvend, KMDLNJ-ja fajëson Konjufcën për shkelje të rënda të rregullores

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka vlerësuar se rrahja që ndodhi në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës, ishte e shmangshme sikur të menaxhohej më mirë dhe të respektohej rregullorja e punës e Kuvendit të Kosovës nga drejtuesi i seancës, Glauk Konjufca.

KMDLNJ-ja thekson se Kuvendi është vendi i punës së deputetëve dhe të gjithë të tjerët, kryeministri, presidentja, ministrat, zv.ministrat konsiderohen mysafirë dhe duhet t’i nënshtrohen rregullave që janë të përcaktuara nga Kuvendi e që nuk ndodhi në seancën e fundit.

“Besnik Bislimit, zv.kryeministër i qeverisë së Kosovës sikur asnjë ministri nuk i takon dhe nuk kanë të drejtë të ndërmarrin asnjë veprim në kundërshtim me Rregulloren e Punës dhe statusin e tyre, si mysafirë. Ata duhet ta kryejnë punën për çka janë ftuar nga deputetët apo, nëse kanë kërkuar në bazë të drejtës që iu takon e pastaj të kthehen në shtëpinë e tyre, qeverinë e Kosovës. Besnik Bislimi nuk ka pasur asnjë të drejtë ta grisë një foto që e vendosi opozita, pavarësisht përmbajtjes. Këtë të drejtë e kanë pasur deputetët e pozitës sikur edhe çdo deputet në Kuvendin e Kosovës. Shkelje tjetër ishte kur po ky zv.kryeministër e gjuan me shishe uji deputetin Lushtaku. Në këtë situatë, kryetari i Kuvendit, po të kishte pasur profesionalizëm dhe guxim do ta largonte nga seanca Besnik Bislimin sepse, si mysafir, në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit ndërmori veprime që nuk i takojnë sikur që sulmoi deputetin Lushtaku”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.

Më tej theksohet se si “shkelja më e rëndë që e bëri kryetari i Kuvendit ishte thirrja drejtuar policisë së Kosovës të intervenojnë sa ishte duke u zhvilluar seanca”, pasi sipas KMDLNJ-së, kryetari i Kuvendit fillimisht është dashur ta ndërpresë seancën e pastaj ta thërrasë Policinë e Kosovës që të ndërhyjë në qetësimin e seancës.