Haradinaj akuzon PDK-në dhe LDK-në për kapjen e shtetit

Kryeministri në detyrë, njëherësh kryetar i AAK-së, Ramush Haradinaj ka fajësuar sot Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës për kapje të shtetit.

Duke folur për kandidatët me aktakuza dhe kapjen e shtetit në debatin e radhës “Talk to Talk” të Kolegjit Riinvest, Haradinaj ka thënë se nuk është meritor për asnjërën nga këto, pasi janë PDK-ja dhe LDK-ja që kanë qenë pothuajse konstante në pushtet.

Krejt çka i takon atij të japë llogari, kryeministri në detyrë tha se është nëse nuk ka bërë mjaftueshëm për çkapjen e shtetit.

“Përgjegjës për kapje të shtetit janë ata që kanë mbajtur përgjegjësi, në këtë rast, në nivelin nacional janë PDK dhe LDK. PDK më shumë, por edhe LDK është përgjegjëse dhe ata duhet të japin llogari para tjerëve pse ka ndodhur kapja e shtetit. Mund të ketë kritika për mua pse s’kam bërë më shumë për çkapjen e shtetit nga shtatori deri më tash, dhe jam dakord t’i jap llogaritë e mia. Por, nuk mundem me qenë meritor për kapjen e shtetit, të cilën në 2017 kam marrë detyrat në punë dhe nuk jam emërues as i kuadrit të lartë në gjyqësor, as në prokurori, as diku tjetër”, tha ai.

I pyetur nëse AAK do të përfshijë në listën e kandidatëve për deputet persona që kanë aktakuza, ai tha se përderisa ligji e lejon kandidimin e këtyre të fundit në zgjedhje, një gjë të tillë nuk do ta ndalojë as ai në partinë e tij.

Sipas tij, është mirë që pikëpyetjet të mbyllen me ligj. Ai theksoi se AAK nuk do të nxjerrë norma të reja, porse shtoi se nëse Kosova vlerëson me se duhet të ndërrojë ligjet, atëherë janë për.

Ai përmendi edhe ministrin në detyrë të Mbrojtjes, Rrustem Berisha që vjen nga radhët e AAK-së, e që ndaj tij ka aktakuzë për rastin e veteranëve të luftës.

Duke folur për këtë, ai akuzoi sërish PDK-në dhe LDK-në që nuk kanë ndryshuar ligjet, kurse tash kur janë afër zgjedhjet thirren në atë se nuk kanë njerëz me aktakuza në listat e tyre.

I pyetur për listat e veteranëve, Haradinaj mohoi se Kosova ka 60 mijë veteranë, teksa theksoi se nuk do të lejojë askënd të nëpërkëmbë veteranët.

Krejt në fund, ai foli edhe për dialogun me Serbinë dhe reciprocitetin, me ç’rast pati një porosi për qeverinë e re pas zgjedhjeve të 6 tetorit.

Ai ka porositur po ashtu se kushdo që e përfaqëson Kosovën pas zgjedhjeve të 6 tetorit, nuk duhet harrojë se përfaqëson një vend sovran.

AAK-ja do të kandidojë me një listë të përbashkët me PSD-në e Shpend Ahmetit, pasi kanë nënshkruar koalicion parazgjedhor, ndërsa sa i përket përfaqësimit të grave në këtë listë, Haradinaj tha se do të respektojnë kuotën prej 30 për qind. /KosovaPress/