Rregullat e përdorimit të xhamave të errët në makina

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit informoi mbi rregullat e përdorimit të xhamave të errët në makina.

Xhamat e errët bllokojnë rrezet UV dhe IR të rrezikshme për shëndetin, sigurojnë në raste thyerje xhami, janë më të freskët në ditë të nxehta dhe sigurojnë një shikim më të mirë kundër vezullues.

Në udhëzuesin për qytetarët që kërkojnë të pajisen me çertifikatë miratimi për xhamat e errësuar në autoveturë sqarohet se një xham konsiderohet që është i errësuar nëse tejçueshmëria e dritës është më pak se 70%. Me errësim të xhamit kuptojmë përdorimin e materialeve errësuese, por që vlera/niveli i errësimit në përqindje (%) përfshin totalin, së bashku, të xhamit origjinal dhe materialit errësues!

Nuk lejohet errësimi i xhamit të përparmë ballor të mjetit. Përjashtimisht, lejohet ulja e tejçueshmërisë së dritës (TD) në xhamin e përparmë ballor vetëm në pjesën e sipërme, në një shirit gjatësor, gjerësia e të cilit është deri në 125 mm.

Për xhamat e përparmë anësorë, të drejtuesit të mjetit dhe pasagjerit, parashikohet nivel tejçueshmërie drite (TD) jo më pak se 50%. Duhet patur parasysh që errësimi që ka xhami origjinal së bashku me materialin errësues të mos e kalojnë nivelin e 50% errësim. Errësimi i xhamave të përparmë anësor tarifohet me vlerën 20 mijë lekë për të dy xhamat, përveç tarifës prej 1 500 lekë të çertifikatës së miratimit për këtë shërbim.

Për xhamat e pasmë anësorë dhe xhamin fundor, tejçueshmëria e dritës (TD) mund të jetë nga 10% deri në 70%, me kushtin që të mos cenohet sistemi i shikimit prapa sipas parashikimit në Kodin Rrugor.

Nuk lejohet që për errësimin e xhamave të përdoren materiale me ngjyra monokromatike si e kuqe, jeshile, blu, e verdhë, portokalli, etj, materiale që krijojnë efekt reflektues ose pasqyrues, materiale që bllokojnë plotësisht shikueshmërinë, materiale që krijojnë efekte turbulluese për shikimin e drejtuesit të mjetit, apo materiale që bëjnë errësimin e xhamave përmes përdorimit të lëndëve spërkatëse./atsh