Kuvendi obligohet që brenda 6 muajve t’i miratoj nenet e reja në ligjin për Zyrtarët Publik

Kushtetuesja sot publikoi vendimin me të cilin konstatoi se disa nene të Ligjit për zyrtarët publikë janë anti-kushtetues.

Pa këto nene kundër kushtetuese, Gjykata i ka hapur rrugë dekretimit të Ligjit për Zyrtaret Publikë nga Presidentja e vendit.

Këtë e ka shpjeguar për Front Online edhe Gzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

“Sa i përket Ligjit për Zyrtarë Publik, Gjykata Kushtetuese vendosi se në parim i njëjti është në përputhje me Kushtetutën, përjashtimisht disa neneve të cilat janë në kundërshtim me Kushtetutën. Me këtë rast, Gjykata Kushtetuese i ka hapur rrugë procedimit të Ligjit për Zyrtarët Publik tek Presidentja për dekretim. Me këtë rast, për dekretim tek Presidentja do të shkoj Ligji për Zyrtarët Publik, pa nenet të cilat është konstatuar se janë në kundërshtim me Kushtetutën”, thotë ai në një prononcim për Front Online.

Ai thotë se me nenet që janë konstatuar kundër kushtetuese, Kuvendi është i obliguar brenda 6 muajve të bëjë ndryshimet.

“Ndërsa, sa i përket çështjeve të cilat rregullohen me nenet të cilat janë konstatuar si kundër kushtetuese, Gjykata Kushtetuese e ka obliguar Kuvendin që brenda afatit 6 mujor të miratojë nenet e reja, në përputhje me rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh ai.

Para disa muajve, Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e patën dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Zyrtarët Publikë.

Kjo pasi sipas përfaqësues të të dyja partive opozitare vlerësuan se Ligji kishte një varg shkeljesh kushtetuese dhe se synim ka qenë nënshtrimin e administratës publike ndaj pushtetit.

Përmbajtja e Ligjit pati marrë kritika edhe nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.