Rregullorja e BQK-së për dinarin, sot është afati i fundit për propozime

Të premten, më 22 mars, është afati i fundit kur Kosova dhe Serbia duhet t’i dërgojnë propozimet e tyre rreth një zgjidhjeje sa i përket përdorimit të dinarit serb në Kosovë.

Kështu kishte bërë të ditur zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi pas takimit të së martës në Bruksel mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë për zgjidhjen e çështjes së përdorimit të dinarit serb në Kosovë.

Derisa për javën e ardhshme, Bislimi paralajmëroi një takim tjetër, për të parë nëse propozimet e tyre mund të shndërrohen në një të vetëm që, siç tha, “do të ishte i pranueshëm për Kosovën”.

Bislimi dhe kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, u takuan të martën në Bruksel, me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Paraprakisht, ata u takuan veç e veç me diplomatin evropian.

Ndër temat që u diskutuan ishte ndalimi i përdorimit të dinarit serb në Kosovë.

Ndryshe, prej 1 shkurtit, Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka nisur të zbatojë një rregullore të re, e cila përcakton që euroja është valuta e vetme në përdorim për kryerje të pagesave me para të gatshme.