Rreth 10 mijë kosovarë të prekur me grip, apelohet për vaksinim e për masa mbrojtëse

Për dy muaj 9 mijë e 545 persona në Kosovë dyshohet se janë prekur nga gripi sezonal. Numri i të prekurve me grip pritet të rritet edhe gjatë ditëve në vijim, derisa për mbrojtjen e qytetarëve tashmë institucionet publike shëndetësore janë furnizuar me rreth 100 mijë vaksina, shkruan sot gazeta Zeri.

Nga 1 tetori deri më 4 dhjetor të këtij viti në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike në vend janë raportuar mbi 9 mijë e 500 raste të dyshuara me grip, derisa ka pasur edhe shumë raste të tjera të raportuara me infeksione respiratore. Nga ky Institut është njoftuar se rastet e dyshuara me grip janë prej të gjitha komunave të Kosovës, ndonëse numri më i madh i tyre raportohet të jetë nga komuna e Prishtinës, e Prizrenit dhe ajo e Podujevës.

Për shkak të mbrojtjes nga gripi sezonal gjatë ditës së djeshme është bërë edhe furnizimi i institucioneve publike shëndetësore me vaksina, me ç’rast edhe është apeluar që të vaksinohen të gjithë fëmijët, të gjithë personat të moshës mbi 65-vjeçare e personat me sëmundje kronike.

Nga klinikat e QKUK-së e po ashtu edhe nga qendrat e mjekësisë familjare është thënë se ka filluar të rritet numri i pacientëve, të cilët kanë simptoma të ngjashme me gripin.