Rreziku nga qentë endacak, sulmohet një 16 vjeçar nga Malisheva (FOTO)

Në fshatin Shkozë të Malishevës, është sulmuar nga qentë endacak 16 vjeqari A.B.

Pas plagëve të marra, i riu është dërguar në Emergjencën në QKMF “Shpëtim Robaj”, për të marrë ndihmën mjekësore.

Ballkani.info ka kontaktuar me doktorin Nuhi Morina, nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare – QKMF, në Malishevë, i cili e ka konfirmuar rastin, dhe sipas tij të lënduarit A. B iu është dhënë udhëzimi për në Klinikën Infektive.

“Është bërë fashimi i plagëve të marra. Gjithashtu i është ofruar udhëzimi për në Klinikën Infektive”, ka përfunduar Morina.

Në anën tjetër, Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Malishevës, Liridon Hoti, për Ballkani.info ka thënë se Komuna e Malishevës trajtimin e qenve endacak po e bën edhe përmes vaksinimit.

“Më herët, qentë endacak janë trajtuar në mënyra të tjera, të cilat tani janë të ndaluara me ligj. Komuna e Malishevës, trajtimin e qenve endacak e bën në mënyra të tjera si vaksinimi apo procedurat e tjera”, ka përfunduar Hoti.

Ballkani.info ka siguruar fotografi të plagëve të cilat i ka marrë nga kafshimi i qenve endacak.