RrGK kërkon dënimin e fajtorëve për vrasjen e 18-vjeçares

Të dielën në mbrëmje, një vajzë 18-vjeçare u la pa shenja jete në qendrën emergjente të Ferizajt.

Njëri nga të dyshuarit tashmë është arrestuar nga Policia e Kosovës, kurse i dyshuari i dytë gjendet ende në arrati, shkruan lajmi.net.

Që nga dita e djeshme ka pasur shumë reagime të ashpra drejt rastit e nga Policia e Kosovës, po cilësohet “vrasje e rëndë”.

Për këtë rast ka reaguar edhe Rrjeti i Grave të Kosovës, ku sipas tyre ky rast shpërfaq mangësitë institucionale në trajtimin me seriozitet të vrasjeve ndaj grave.

“Vrasja e kësaj vajze assesi nuk është rast i izoluar e as ndodhi rastësore – kjo vajzë vdiq në një vend në të cilin çdo vrasje e grave shoqërohet me heshtje institucionale, me zvarritje të hetimeve, dhe me dënime të ulëta për vrasësit e grave”, thuhet në komunikatën e tyre.

RrGK-ja parasheh spitalet e Kosovës si të obligueshme të lajmërojnë institucionet e sigurisë, pas çdo dhune të paraqitur në të.

“Si për secilën vrasje të grave nga burrat këtu kemi një zinxhir fajtorësh brenda institucioneve. Si ka mundësi që në një institucion shëndetësor të lihet trupi i pa jetë i një gruaje, pa kurfar llogaridhënie? Le të kujtojmë këtu se spitalet e kanë obligim që në të gjitha rastet ku ka shenja të dhunës të lajmërojnë institucionet e sigurisë, e të sigurohen që ushtruesit e dhunës të mos ikin”, thanë ndër të tjera ato.

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) kërkon që hetimi i vrasjes së 18-vjeçares të jetë prioritet për organet e hetuesisë, si dhe fajtorët të marrin dënimin maksimal.

Njëherit, u bëjnë thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë në gjetjen e të dyshuarit të dytë, kurse mediave u bëjnë thirrje që të raportojnë duke pasur në qendër të vëmendjes ruajtjen e dinjitetit të viktimës – vetëm në këtë mënyrë secili prej nesh do të luajmë rolin që na takon në luftimin e pakusht të vrasjes së vajzave dhe grave.