Rrokulliset kamioni i betonit rrugës për Orllan, lëndohet një person

Një vetaksident trafiku ka ndodhur sot rreth orës 14:30 rrugës që të çon për në Orllan të Podujevës.

Bazuar në pamjet që lexuesit i kanë dërguar në Llapi.info, shihet një kamion i betonit që është rrokullisur. Si pasojë e këtij aksidenti ka mbetur i lënduar një person.

Lajmin e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Rreth orës 14:30 ka ndodhur një vetë-aksident në fshatin Barainë, ku i përfshirë ka qenë një kamion. Shoferi i kamionit ka pësuar lëndime trupore dhe i njëjti është dërguar për tretman mjekësor. Me rastin po merret njësiti i trafikut”, ka thënë Ahmeti.

Ndërkaq, sipas statistikave të PK-së, gjatë së dielës në Kosovë kanë ndodhur 34 aksidente trafiku, ku prej tyre 23 kanë rezultuar me persona të lënduar.