SBASHK-u kundër vazhdimit të reformave në Kamenicë, nuk përjashton grevën

Arsimi në Kosovë mund të përballet sërish me një grevë në janar nëse kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, nuk heqë dorë nga vazhdimi i reformave në arsim në këtë komunë.

Këtë paralajmërim e ka bërë kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, i cili ka thënë se nëse mësimdhënësit e Kamenicës kërkojnë grevë për t’i kundërshtuar reformat e Kastratit, SBASHK-u është i detyruar ta shpallë në gjithë Kosovën, shkruan sot “Koha Ditore”.

Jasharaj e ka quajtur kryetarin e Kamenicës si joserioz pasi, sipas tij, nuk i ka njoftuar Sindikatën se edhe në gjysmëvjetorin e dytë do të ketë reforma në arsim. Ka thënë se nuk është zgjidhje që reformat të bëhen në stinën e dimrit e aq më pak pa pasur një vlerësim se çfarë rezultatesh dhanë në gjysmëvjetorin e parë.

Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka paralajmëruar se nga e hëna kur nis gjysmëvjetori i dytë i vitit shkollor do të vazhdojë faza e dytë e reformave në arsim.