Scholz e Macron: Kosova e Serbia të pajtohen shpejt

27 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian të premten sollën 32 konkluza, në ditën e dytë të samitit.

Konkluza e 28-të flet për situatën në Kosovë, e sidomos atë në veri të saj, për të cilën ata thonë se janë thellë të shqetësuar.

BE-ja dënon ashpër sulmin që e quajnë të “dhunshëm” në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator, njofton Klan Kosova.

Unioni pret që autorët e aktit të kapen e të sillen me shpejtësi para drejtësisë dhe këtu sipas konkluzës, pritet nga Serbia të bashkëpunojë plotësisht dhe të merr hapat e nevojshëm në këtë drejtim.

BE-ja thërret dy vendet ballkanike për deeskalim, organizim të zgjedhjeve në veri, sa më shpejt me pjesëmarrjen e serbëve. Dështimi për de-përshkallëzim thuhet se do të ketë pasoja.

Kështu blloku thërret Kosovën e Serbinë që pa shtyrje e pa parakushte të zbatojnë ujditë e arritura.

Normalizimin e raporteve e konsiderojnë si kusht esencial që të ecet para në rrugën evropiane, përderisa thuhet se mungesa e përparimit ka rrezikun e humbjes së mundësive të rëndësishme.

Liderët e dy vendeve kryesore të unionit, Gjermanisë dhe Francës, folën pas samitit pikërisht për raportet Kosovë-Serbi.

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, tha se me takimet që i kishin të enjten ndaras me Kryeministrin e Kosovës e Presidentin e Serbisë, nuk dështuan. Ai tregoi se sikur Kurti ashtu dhe Vuçiqi, janë zotuar qartazi se do zbatojnë marrëveshjet e pajtuara tashmë, përfshirë Asociacionin.

“Është e rëndësishme që të merren këta hapa tani, dhe që secili që ka përgjegjësi politike, të përmbledhë fuqinë që të bëjë gati të ardhmen dhe t’i zgjidhë gjërat për të ardhmen. Kjo nuk është diçka që në fund do të thuhej kush ka më shumë pikë, por ka të bëjë me atë se si ne mund të ndërtojmë të ardhmen për qytetarët e Kosovës dhe qytetarët e Serbisë. Pra, si të bëjmë një perspektivë paqësore për ta, sepse ata duan t’i bashkohen BE-së, dhe për këtë ata duhet të bëhen fqinjët më të mirë”, tha Scholz.

Edhe presidenti francez, Emmanuel Macron, u deklarua rreth situatës Kosovë-Serbi.

“Lidhur me këtë temë ne riafirmuam qëndrimin tonë, dhe morëm zotime shumë të qarta nga të dyja palët për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit dhe zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave Serbe, sa më parë. Ne vërtet dëshirojmë që kjo të bëhet realitet tani dhe që normalizimi i raporteve të vazhdojë, ndërkohë që kemi përsëritur qartë se dënojmë sulmet e 24 shtatorit dhe kemi kërkuar nga presidenti i Serbisë Vuçiq masa të qarta të ndjekjes penale”, shtoi Macroni.