Seanca konstituive po afron, LDK-ja insiston në balancim të pozitave

Kanë mbetur vetëm edhe tri ditë deri te seanca konstituive, por LVV-ja dhe LDK-ja akoma nuk i kanë tejkaluar mospajtimet rreth postit të presidentit.

Derisa Lidhja Demokratike e Kosovës ka ngulur këmbë në kërkesën për balancimin e pozitave, respektivisht për sigurimin e pozitës së presidentit, LVV-ja nuk ka lëvizur nga pozicioni i saj se ky post në asnjë mënyrë s’duhet të bëhet pjesë e marrëveshjesLidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk ka hequr dorë nga kërkesa për postin e presidentit.

Përkundrazi, zyrtarët e këtij subjekti po kërkojnë balancimin e pushteteve, rrjedhimisht marrjen e pozitës së shefit të shtetit.Vetëm kësisoj, sipas tyre, do të bëhej baraspeshimi i pozitave me Lëvizjen Vetëvendosje, e cila si parti fituese e zgjedhjeve do ta mbante postin e kryeministrit.

Pavarësisht insistimit për ta siguruar postin e presidentit, nga LDK-ja nuk kanë treguar emrin e personit që mëton të vijë në këtë pozitë më 2021-n.

Sipas tyre, është e drejtë ekskluzive e LDK-së që të vendosë se kë do ta prezantojë për president tek atëherë kur do të vijë koha e zgjedhjes së tij, shkruan gazeta “Zëri”.

Në anën tjetër, nga LVV-ja kanë përsëritur disa herë se nuk do të lejojnë që pozita e presidentit të bëhet pjesë e marrëveshjes për bashkëqeverisje.