Seanca për Trustin të mërkurën, LVV vazhdon ta kundërshtojë tërheqjen e 30 përqindëshit

Ka përfunduar mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, ku është marrë vendim që të mërkurën të mbahet seanca e radhës dhe të diskutohet për tërheqjen e 30 përqind të Trustit.

Lëvizja Vetëvendosje edhe më tutje vazhdon ta kundërshtojë tërheqjen e mjeteve nga Trusti.

Kështu ka bërë të ditur shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, raporton Demokracia.com.

“U dakorduam që në ditët e javët në vijim të mbahen tre seanca. Ditën e mërkurë të vazhdojë seanca e mbetur në gjysmë, me të gjitha pikat e rendit të ditës. Ndërsa, sipas votimit javë më parë për ndarjen buxhetore, seanca e 23 qershor do të ketë shqyrtimin për ndarjen buxhetore… Për sa i përket Trustit, qëndrimi është njëjtë, pasi qëndrimi është i bazuar në fakte dhe argumente”, tha ajo.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se të mërkurën është seanca ku në rend dite në ketë seancë, mes tjerash është edhe ndryshimi i Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës përmes të cilit mundësohet tërheqja e 30% të parave nga Trusti.

“Ditën e mërkurë, në seancën e së mërkurës, do të jetë në rend dite Projektligji për Tërheqjen e Kursimeve në Fondin Pensional. Një kërkesë e qytetarëve që po vjen në kohën kur vendi po ballafaqohet me një rritje të çmimeve të produkteve esenciale ushqimore e të derivateve dhe të sfidës së energjisë elektrike”, ka thënë Tahiri.

E sa i përket pagës minimale që i lë jashtë veteranët, Tahiri tha se ata do të vazhdojnë ta kenë mbështetjen e Grupit Parlamentar të PDK-së.

“Ne vazhdojmë me i mbështet. Përcaktimi i pagës minimale është përcaktimi i të ardhurave minimale që mund të jetoj një familje. Mirë që ka filluar një dialog në mes të OVL-së dhe Qeverisë. Shpresojmë që ky dialog të përfundojë me një marrëveshje, që do t’i gjej të kënaqur veteranët. Presim rezultat të kënaqshëm nga ky dialog”, ka thënë Tahiri.