Shaip Kamberi thotë se zgjedhjet në Luginë duhet të përsëriten

Shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk kanë arritur që të sigurojnë asnjë mandat në Parlamentin e Serbisë.

Zgjedhjet e 3 prillit të mbajtura në Serbi, nuk sollën rezultatet e dëshiruara për shqiptarët e Luginës së Preshevës, kjo pasi që ata nuk do të kenë mundësinë që të përfaqësohen nga asnjë shqiptar në Kuvendin e Serbisë.

Shaip Kamberi, përfaqësuesi i listës “Koalicioni i shqiptarëve të Luginës”, përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, ka treguar arsyet se përse shqiptarët nuk arritën të kenë asnjë përfaqësues në parlamentin serb.

Ai ka thënë se duke e parë këtë rezultat dhe heqjen nga lista e votimit të shqiptarëve, zgjedhjet në Luginë të Preshevës duhet të përsëriten.

Njoftimi i plotë i Kamberit pa ndërhyrje:

Qytetarë të nderuar,

“Koalicioni i shqiptarëve të Luginës” i përbërë nga Partia për Veprim Demokratik bashkë me Partinë Demokratike dhe Lëvizjen e Progresit Demokratik mori 9644 përkundër vështirësive të shumta me të cilat u përball në këtë process zgjedhor.

Zgjedhjet e fundit në Serbi të datës 3 prill u karakterizuan me pjesëmarrje të ulët të votuesve shqiptarë.

Pasivizimi i vendbanimeve të shqiptarëve që rezultoi me shlyerjen e tyre nga listat zgjedhore deligjitimoi procesin zgjedhor, sidomos në Luginën e Preshevës. Shumë shqiptarëve i është pamundësuar e drejta elementare. E drejta për të votuar. Kjo e bën procesin zgjedhor jodemokratik. Zgjedhjet jo të lira.

Prandaj zgjedhjet duhen të përsëriten në Luginën e Preshevës, duke zgjidhur paraprakisht çështjen e mohimit të së drejtës për të votuar për çdo qytetar te të Luginës së Preshevës.

Me këtë rast, dua të falënderoj përzemërsisht të gjithë qytetarët për kulturën e lartë politike që kanë shpërfaqur gjatë këtyre zgjedhjeve.

Përulje për të gjithë aktivistët në radhë të parë të Partisë për Veprim Demokratik dhe të partnerëve tanë politik – Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës, që nuk kursyen asgjë prej tyre, gjatë kësaj fushate që më mbështeten pa rezervë.

Megjithë votat e marra ato akoma nuk janë garancë për të fituar një mandat.