Shala: Ende s’kemi qëndrim të saktë si do ta kundërshtojmë shtrenjtimin e energjisë

Deputeti i PDK-së Ferat Shala, ka thënë se si parti ende nuk kanë ndonjë qëndrim se si do ta kundërshtojnë vendimin për shtrenjtim të energjisë.

Por, thotë se në një formë ose në një tjetër ata e kanë kundërshtuar në formë demokratike, duke shtuar se ngritja e çmimit ka ndodhë si shkak i keqmenaxhimit.

“Për format tjera të protestës, të kundërshtisë aktualisht nuk kemi ndonjë qëndrim si rezultat i dinamikës që patëm dhe duke e analizuar edhe mundësinë e ankimimeve të ndryshme qoftë gjyqësore, qoftë të mundësive tjera demokratike. Deri në këto momente ne nuk e shohim të arsyeshme dhe nuk është në kulturën tonë që të protestojmë në rrugë”, ka thënë Shala, për Front Online.

I pyetur se a do ta përkrahin AAK-në në rast se kjo e fundit organizon protestë siç ka paralajmëruar, Shala ka dhënë këtë përgjigje.

“Sigurisht që ne do ta analizojmë nëse kemi ftesë prej partisë së AAK-së dhe organet e partisë do të marrin vendim bashkë me grupin parlamentar, nëse ka një ftesë të tillë prej partive politike, të shoqërisë civile apo të organizatave tjera ne do të marrim qëndrim me kohë”, ka pohuar Shala.