Shala: Serbia do të përcaktohet në politikën e jashtme, kur Brukseli jep shenja serioze se do të hyjë në BE

Opinionisti Blerim Shala, po vlerëson se raportet mes Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara janë të ndërlikuara, ngjashëm sikurse emisari Special për Ballkanin Perëndimor të Administratës Amerikane, Gabriel Escobar i cili një gjë të tillë e tha para disa ditëve.

Escobar, në anën tjetër, edhe në intervistat e tij për media, megjithë dykuptimësive të rëndomta diplomatike, ka porosi të qarta në vlerësimin e gjendjes së tanishme në rajon, dhe në përshkrimin e situatave konkrete në raportet e SHBA-së me shtetet e veçanta të Ballkanit Perëndimor, njofton Klankosova.tv.

Pak ditë më parë, në pyetjen e Al Jazeera-s për Ballkan, se si i vlerëson marrëdhëniet e SHBA-së me Serbinë, Escobar u përgjigj në këtë mënyrë: Këto raporte nuk janë të këqija dhe as të mira, por janë të ndërlikuara.

Tutje, Shala thotë se Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq do ta ketë të vështirë të luajë në disa letra politike ndërkombëtare, duke i përdorur ato në bisedimet e Brukselit, por po ashtu edhe për Integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.

“Në këtë kontekst, duket që lideri serb do ta ketë gjithnjë e më vështirë të luajë në disa letra politike ndërkombëtare, duke i përdorur ato, midis tjerash, në fuqizimin e pozicionit të vet negociator si në bisedimet e Brukselit me instancat më të larta të Kosovës, ashtu edhe në negociatat me autoritetet e BE-së për integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian”, theksoi Shala.

Shala tha se Vuçiq njëkohësisht synon që Serbia të bëhet pjesë përbërëse e BE-së, të ketë marrëdhënie të mira me SHBA-në, të ruajë miqësinë politike me Rusinë e Vladimir Putinit, dhe bashkëpunimin ekonomik me Kinën e Xi Jinping-ut.

“Vučić pak a shumë ju thotë bashkëbiseduesve të tij evropianë dhe amerikanë që do të përcaktohet seriozisht dhe qartë sa i përket prioriteteve të tij të jashtme, atëherë kur Brukseli (BE-ja), jap shenja serioze dhe të qarta se kur Serbia do të mund të hyjë në Bashkimin Evropian, gjë që do të mund të nënkuptonte edhe zvogëlimin e rolit të Rusisë dhe të Kinës në Serbi”.