SHBA dhe BE i drejtohen njëzëri Kurtit e Osmanit: Dialogu duhet të rifillojë menjëherë, pa vonesa

Sot, Emisari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi ka folur për mediet serbe rreth dialogut midis dy vendeve duke potencuar rëndësinë e normalizimit të raporteve jo vetëm për Kosovën e Serbinë, por për të gjithë rajonin.

Kjo deklaratë e tij, ishte edhe mesazh i qartë për fituesit e zgjedhjeve në Kosovë, Lëvizjen Vetëvendosje me Albin Kurtin dhe gjithashtu për Vjosa Osmanin si kandidate për presidente nga lista e LVV-së.

Lajçak është shprehur se është në kontakt me amerikanët për hartimin e një strategjie për dialogun Kosovë – Serbi, duke shtuar se posa të formohet qeveria e re, dialogu duhet të vazhdojë aty ku ka mbetur pa vonesa të panevojshme.

“Bashkëpunimi ka sjellur rezultate të mira viteve të fundit. Unë jam në kontakt të vazhdueshëm me kolegët e mi amerikanë, në mënyrë që të përgatisim një strategji të përbashkët dhe aktivitete të koordinuara. Mesazhi i BE-së është i qartë: Ne jemi gati të vazhdojmë dialogun ku e kemi lënë në dhjetor, sa më shpejt që qeveria e re në Kosovë të formohet. Jam gati po ashtu ta vizitoj regjionin dhe të takohem me negociatorët sa më parë që kushtet e lejojnë këtë. BE-së e ka thënë qartë se s’ka formë tjetër pos dialogut në rrugën evropiane të Kosovës dhe Serbisë . Po ashtu, vazhdimi i dialogut pa vonesa të panevojshme është në interesin e të gjithëve”, ka thënë Lajçak.

Kjo deklaratë e Lajçak vjen menjëherë pas kërkesave të zyrtarëve të lartë amerikanë drejtuar Kurtit dhe Osmanit, madje edhe në letrat për urimin e pavarësisë së Kosovës. Rëndësinë e rifillimit të dialogut e potencuan edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden por edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Philipp Kosnett.

Këto deklarata, bien ndesh me deklarimet e ish-kryeministrit Kurti i cili është edhe fitues i zgjedhjeve të 14 shkurtit. Ai ka deklaruar se dialogu nuk është prioritet i tij, pasi nuk është as prioritet i qytetarëve të cilët e kanë votuar.

“Kjo temë renditet e gjashta ose e shtata midis prioriteteve të qytetarëve. Të gjitha sondazhet tregojnë se shqetësimet e tyre kryesore janë punësimi, ekonomia, drejtësia… Sidoqoftë, unë jam i gatshëm të bëj një kompromis, për ta vendosur dialogun në rendin e tretë ose të katërt të përparësive të mia! BE-ja dhe Ballkani janë shumë të rëndësishme për njëri-tjetrin, por më shumë sesa për një treg të përbashkët, kemi nevojë për investime. Evropa Juglindore po e zbraz trurin dhe BE-ja duhet të na ndihmojë ta ndalojmë këtë gjakderdhje. Vendet e Ballkanit Perëndimor një ditë do të integrohen dhe mendoj se të gjitha duhet të jenë në të njëjtën kohë. Nëse një prej këtyre shteteve hyn në BE para të tjerëve, ne përsëri do të kemi probleme, siç është rasti midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.”, tha Kurti në një intervistë të tijën për Le Temps.

Përsëri mospajtime LVV – SHBA: Biden kërkon marrëveshje, Kurti s’e ka prioritet dialogun me Serbinë

Porosi të njëjtë për Kurtin e Osmanin pati edhe presidenti i Francës, Emanuel Macron në letrën e tij drejtuar u.d të Presidentes, Vjosa Osmanit.

Në letrën e Macron drejtuar Osmanit thuhet se është e rëndësishme të diskutimet të mund të rifillojnë sa më shpejtë të jetë e mundur pas zgjedhjes së qeverisë së re mbi bazën e përparimeve që janë bërë tashmë.

“Unë do të doja të përshëndesja angazhimin e Kosovës në dialogun me Serbinë që nga rifillimi i tij, pas takimit të nivelit të lartë që Kancelarja Merkel dhe unë mbajtëm më 10 korrik të vitit 2020. Unë mbështes plotësisht ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesit të tij të posaçëm për dialogun, Miroslav Lajçak, me synimin për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, përfundimtare dhe ligjërisht të obligueshme. Është e rëndësishme që diskutimet të mund të rifillojnë sa më shpejt të jetë e mundur, pasi që të jetë zgjedhur qeveria e re e Kosovës, mbi bazën e përparimeve që janë bërë tashmë”, ka thënë në letrën e tij Macron.

Kërkesë të njëjtë drejtuar fituese të zgjedhjeve në Kosovë iu ka drejtuar edhe Presidenti i Republikës Federale të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier.

Në këtë letër përmedet rëndësia e rifillimit të dialogut vitin e kaluar nga kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti dhe rëndësia e vazhdimit të dialogut.

Për rëndësinë e dialogut dhe të arritjes së një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë sot ka folur edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Ai në një letër të urimit për 13 vjetorin e pavarësisë së Kosovës ka thënë arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse të përqëndruar në njohje reciproke do të kërkojë nga të gjitha palët fleksibilitet dhe gatishmëri për kompromis.

“Në emër të Qeverisë së SHBA-së, dua ta uroj Kosovën pasi feston përvjetorin e 13-të si shtet sovran dhe i pavarur. SHBA-ja është krenare në rolin e saj të hershëm dhe të vazhdueshëm në mbështetjen e Republikës së Kosovës të pavarur, për t’u zhvilluar në një vend multi-etnik, gjithëpërfshirës dhe demokratik. Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm drejt një të ardhme më të begatshme, të qëndrueshme dhe të sigurt. Ne përgëzojmë vendosjen e marrëdhënieve zyrtare diplomatike me Izraelin dhe përshëndesim përpjekjet tuaja për të normalizuara marrëdhëniet me Serbinë. Arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse, të përqendruar në njohje reciproke, do të kërkojë nga të gjitha palët që të tregojnë fleksibilitet dhe gatishmëri për kompromis. SHBA-ja vlerëson lidhjen e fortë mes njerëzve tanë dhe do të vazhdojë të përkrah Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit Euro-Atlantik. I uroj siguri dhe shëndet të mirë njerëzve të Kosovës, ndërsa vazhdojmë të punojmë së bashku për të tejkaluar sfidat e paraqitura nga pandemia COVID-19”.”, thuhet në letrën e Blinken.

Mbetet të shihet se cili do të jetë qëndrimi dhe hapat që do të ndërmarrë qeveria e re pasi të formimit.