SHBA-ja akuzon Rusinë se po inskenon një sulm nga Ukraina

Ushtria ruse i ka intensifikuar stërvitjet në shumë zona përreth Ukrainës.

Madje për të nisur luftën Moska po përgatit edhe një komplot, duke sajuar një sulm nga forcat ukrainase, për ta përdorur si pretekst para botës që të ndërmarrë veprime ushtarake kundër fqinjit të saj.

Këtë e zbuloi inteligjenca amerikane, e cila po ashtu kuptoi se rusët inskenuan edhe një video propagandistike me shpërthime, kufoma të rreme dhe aktorë vajtues.

Këto pretendime nuk i ka komentuar ende presidenti Vladimir Putin, i cili po qëndron në Kinë në hapjen e Lojërave Dimërore Olimpike.

Në anën tjetër, udhëheqësit në të gjithë Evropën po intensifikojnë përpjekjet e tyre diplomatike për të ulur tensionet ne mes Rusisë dhe Ukrainës.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, njoftuan të premten se do të udhëtojnë për në Ukrainë dhe Rusi.

Këso përpjekje po bën edhe presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, i cili vizitoi të enjten Kievin.