SHBA-ja “shuplakë” Qeverisë Kurti| Haxhiu njoftohet që të mos shkojë në vizitë

Ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier në një bisedë me gazetarë, është përgjigjur në pyetjen nëse i është refuzuar viza për në SHBA ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu. Ai nuk ka dhënë përgjigje të drejtpërdrejtë, por ka thënë se nuk është koha që ministrat të udhëtojnë jashtë vendit, pasi kemi një krizë në Kosovë, dhe duhet angazhuar nga brenda që ajo të zgjidhet.

Hovenier duke u përgjigjur në pyetjen rreth vizës për ministren Haxhiu, ambasadori ka thënë se nuk e sheh të vështirë që një ministër të merr vizë për në SHBA, por tani sipas tij meqë jemi në këtë krizë pas ngjarjeve në veri, mbase nuk është koha më e duhur që ministrat të udhëtojnë për në SHBA për takime zyrtare.

“Kjo këtu është enigmatike. Janë dy çështje. Nuk shoh asnjë rrethanë në të cilën do të ishte e vështirë për qeverinë e ShBA’së të lëshonte vizë për një ministër të Qeverisë së Kosovës. S’mund të flas për rastet specifike ose individuale të vizave, por nuk jam në dijeni për ndonjë rrethanë ku një ministër i qeverisë nuk do të kualifikohej për marrjen e vizës për punë zyrtare”, ka thënë ambasadori Hovernier në një bisedë me disa gazetarë të pritur në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, ku ka qenë i pranishëm edhe drejtori i gazetës online Reporteri, Bekim Kabashi.

Përveç ministres Haxhiu, ambasadori Hovenier, ka thënë se as ministrat tjerë nuk duhet të udhëtojnë për në SHBA, që krizat të trajtohen këtu, dhe thotë se këtë ua kanë komunikuar zyrtarëve të ndryshëm në qeveri.

“Është një çështje tjetër e ndarë prej kësaj nga udhëtimi për në ShBA për takime zyrtare. Ne aktualisht jemi në një krizë, dhe është pikëpamja jonë që, ne jemi tejet të përqendruar në këtë krizë, besojmë që edhe kjo qeveri është e përqendruar në këtë krizë, dhe mendojmë se nuk është koha mbase domosdoshmërisht më e duhura që ministrat të jenë duke udhëtuar për në ShBA për takime zyrtare duke e pasur parasysh krizën të cilën duhet trajtuar këtu. Dhe këtë po ua komunikojmë zyrtarëve të ndryshëm në qeveri”, ka thënë Hovenier.

Ndryshe, sot në media ka pasur raportime se Ministres Albulena Haxhiu dhe Ministrit Xhelal Sveçla u janë refuzuar vizat nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pas këtyre raportimeve ka reaguar Shefi i Kabinetit të Haxhiut, Genc Nimoni, i cili e ka quajtur të pavërtetë një lajm të tillë.

“Disa media, kanë drejtuar pyetje dhe po raportojnë se Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka refuzuar vizën për Ministren e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu dhe është anuluar vizita në ShBA. Një lajm i tillë përveç se është i pavërtetë dhe shpifës, është tendencioz dhe ka për qëllim shpërndarjen e informatave të pavërteta për zyrtaret e lartë të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, ka shkruar Nimoni.

Nimoni ka bërë me dije se Haxhiu planifikon vizitë zyrtare në ShBA gjatë dhjetorit, me ftesë të autoriteteve amerikane.

“Me ftesë të autoriteteve Amerikane, në muajin dhjetor të këtij viti, Ministrja Haxhiu planifikon një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjatë së cilës vizitë do të ketë takime zyrtare me përfaqësues të Departamentit të Shtetit Amerikan, Departamentit për Drejtësi dhe institucione të tjera. Në këtë vizitë, Ministrja Haxhiu do të jetë edhe pjesë e konferencës globale anti-korrupsion në Washington DC”, ka shkruar Nimoni.