Shefi i ushtrisë serbe: KFOR-i t’i mbrojë serbët, nuk mund të tolerohet më Kurti

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, gjenerali Milan Mojsiloviq, në konferencën e sotme të jashtëzakonshme tha se shteti i Serbisë do të bëjë gjithçka për të mbrojtur popullatën serbe në Kosovë.

“Ne kërkojmë që të merren masa urgjente për mbrojtjen e popullatës serbe. Ushtria serbe i përmbush të gjitha obligimet ligjore nga rezoluta 1244. Është e qartë se bashkësia ndërkombëtare nuk po i përmbush obligimet e veta”, tha gjenerali Mojsiloviq, raporton Danas.

Mojsiloviq ka thënë se ka biseduar me Komandantin e KFOR-it në Kosovë, të cilit i ka thënë se janë duke i përcjellë me ankth ngjarjet e fundit në veri të Kosovë dhe nga i njëjti ka kërkuar urgjentisht të mbrojë serbët, ngase, siç pretendon ai, “nuk mund të tolerohet më Kurti”.

“Terrori nga Kurti nuk është më fizikisht i durueshëm. Në pajtim me të gjitha faktet, dhe për shkak të bashkëpunimit korrekt dhe profesional që kemi, e informova komandantin e KFOR-it që po përcjellim ngjarjet me ankth të madh dhe kërkojmë masa urgjente nga ta për të mbrojtur popullin serb dhe të drejtën e tyre të mbijetesës. Kjo është lutja jonë për njësitet e KFOR-it dhe institucionet e tjera të sigurisë në Kosovë”, ka thënë ai në konferencë.

Kjo konferencë publike u mbajt për shkak të situatës në veri të Kosovës, për shkak se policia e Kosovës ka arrestuar një tjetër serb në Kosovë.