Shefi Zyrës së BE-së: Njerëzit që jetojnë në veri janë në rrezik

Prishtinë-Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Tomas Szunyog, njoftoi se ka bërë një vizitë në veri për të dëgjuar perspektiva të ndryshme për situatën aktuale.

Ai thënë se zhvillimet e ditëve të fundit janë kujtesë e ashpër dhe tragjike “e asaj që është në rrezik për njerëzit që jetojnë në veri të Kosovës”, derisa ka shtuar se në rrezik është edhe siguria e të gjitha komuniteteve.

Sipas Szunyogut, akterët vendorë duhet të kontribuojnë në uljen e tensioneve në këto momente kritike, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Gjatë një vizite në veri të Kosovës dëgjova zëra dhe perspektiva të ndryshme për situatën aktuale në terren. Zhvillimet e fundit janë një kujtesë e ashpër dhe tragjike e asaj që është në rrezik për njerëzit që jetojnë në veri të Kosovës, për sigurinë e të gjitha komuniteteve të saj dhe për rajonin më të gjerë”, ka shkruar ai të martën në rrjetin social X.