Sherifi: Kurti është izoluar politikisht, Osmani ia ka marrë kompetencat

Bilall Sherifi, nga Nisma Socialdemokrate, e ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për mungesë siç ka thënë të veprimeve të forta në lidhje me situatën pas sulmit terrorist në veri.

Sherifi ka theksuar se Kurti nuk ka kërkuar zyrtarisht nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ta dërgojë çështjen në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për të kërkuar masat ndaj Serbisë për shkeljen e Rezolutës 1244, e cila ndalon trupat ushtarake serbe në territorin e Kosovës.

“Unë mendoj që Kurti nuk ka dashur që çështja të shkojë në Këshill të Sigurimit, sepse sikur të kishte dashur do ta kishte kërkuar nga Rama. Nuk mund të presësh që Rama ta bëj një gjë që nuk ia ke kërku, të gjithë vajtojmë pse Rama nuk e bën një gjë të tillë, kryeministri, homologu i tij nuk ia ka kërkuar një gjë të tillë, kjo është e sigurt”, ka thënë ai.

Sipas Sherifit, kjo ka bërë që kryeministri Kurti të shihet si “noter” në politikën e jashtme, duke mos marrë masa të nevojshme në këtë çështje të ndjeshme.

Sherifi gjithashtu ka theksuar se kryeministri Kurti është izoluar politikisht, pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë të gjitha kompetencat.

Sipas tij, presidentja Osmani tanimë po shkon në rrugën ku ishte ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, si aktere kryesore e politikës, sepse “Kurti është izoluar dhe ndërkombëtarët më nuk e shohin më si partner”.

Ai ka përmendur se kryeministri Kurti nuk është i ftuar në ngjarjet publike, duke e karakterizuar si një ndryshim të rolit të tij në politikën e jashtme dhe pozicionin e tij si kryeministër.

“Kjo duhet t’i kërkohet zyrtarisht nga kryeministri i vendit, po kam frikën që ai është shndërruar në noter tanimë i politikës së jashtme, sepse Osmani ia ka marrë të gjitha, a e shihni gjithkund e ftojnë presidenten, kryeministrin askund, kemi të bëjmë me një kryeministër të izoluar. Kanë ndërruar rolet nga presidentja në noter tash kryeministri Kurti është shndërruar në noter”, ka deklaruar Sherifi ne emisionin FIVE të RTV Dukagjinit.