Shiu i verës i kap në befasi! Fermeri shpërthen në lot: Më kanë ngordh derrkucët (video) 

Ka shpërthyer në lot një fermer në fshatin Kotërr të Dajçit teksa rrëfen për Reprot TV dëmet që i janë shkaktuar nga reshjet e papritura të korrikut. Ndërsa ruhen nga shirat e dimrit, këtë herë ishin furtuna e papritura të verës që kanë dëmtuar të gjithë zahirenë e dimrit.

Uji ka hyrë në magazinën ku ndodheshin thasët me grurë, në stallat e bagëtive, ku uji ka mbytur derrat dhe ka dëmtuar gjithçka ndodhej brenda. Por dëme fermeri Simon Simon na tregon edhe në arat e mbjella me misër dhe kultura të tjera bujqësore.

“Me sinqeritet 4 mln lekë është dëmtuar garazhi, blegtoria, mjetet e punës, toka. S’kemi pas mundësi me shpëtu asgjë, ka ardhur stuhi e madhe, më ka kap në befasi. Stuhi e madhe. Më kanë ngordh derrkucat, dëmtuar misri, mielli… për pesë sekonda” shprehet fermeri.

Por gjithçka ishte pasojë e dëmtimit të argjinaturës së kanalit të ujërave të larta nën këtë fshat, nga ku uji me rrëmbim është shpërndarë nëpër fshat.

“Ka plas agjinatura, u fry breg e në breg, se u fry Gjadri. Argjinaturën e ka zënë në pikën më të dobët. Kanë qenë 40 metra ujë që kanë shpërthy nga unë. Më ka ndodh edhe më parë para 4 vjetësh”, thotë ai.

Fermerët e Kotrrit kërkojnë ndërhyrje për të parandaluar përmbytje të tjera në këtë zonë, pasi shirat e vjeshtës dhe të dimrit mund të sjellin pasoja më të mëdha për ta.