Shkarkimi i katër kryetarëve në veri, cilat janë procedurat që i paraprijnë zgjedhjeve?

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka pranuar peticionet e nënshkruara nga qytetarët për shkarkimin e kryetarëve të katër komunave në veri të vendit, në Leposaviq, Zubin Potok, Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan.

Pas pranimit të peticioneve, KQZ duhet të bëjë verifikimin e nënshkrimeve për të vazhduar me pas me procedurat tjera.

Analisti Arton Demhasaj ka shpjeguar disa nga hapat që duhet ndërmarrë tashmë nga KQZ.

“Pas mbledhjes së nënshkrimeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka për obligim me i verifiku nënshkrimet dhe të vlerësojnë se a përbëjnë 20 % të listave të votuesve në komunat në veri. Dhe nëse veç vërtetohet se janë 20% atëherë brenda 45 ditësh KQZ është e obliguar me organizu ‘referendumin’”, ka thënë ai.

“Në referendum duhet të marrin pjesë të paktën 50% dhe duhet të gjithë të votojnë pro shkarkimit të kryetarëve të komunave, nëse ndodhë kjo atëherë KQZ fillon procedurat për procesin zgjedhor”, ka theksuar ai, për telegrafin.

Ndryshe, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi para disa ditësh ka deklaruar se procesi i verifikimit do të zgjasë disa ditë.

“Konfirmojmë se kemi pranuar peticionet prej katër komunave dhe verifikimi i nënshkrimeve do të bëhet ditëve në vijim. Ka numër të madh të nënshkrimeve dhe nevojitet kohë për konfirmim”, ka thënë Radoniqi.

Kryetarët shqiptarë u zgjodhën në prill të vitit 2023, në zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët.

Nisja e detyrës së tyre nxiti tensione në fund të majit të vitit të kaluar, të cilat kulmuan në Zveçan, pasi protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit paqeruajtës të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë – KFOR.

Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar uljen e tensioneve dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri të Kosovës.

Peticionet për largimin e katër kryetarëve janë nënshkruar edhe nga përfaqësuesit e Listës Serbe, parti që bojkotoi zgjedhjet dhe largoi përfaqësuesit e saj nga institucionet e Kosovës, duke nxitur edhe largimin e serbëve të tjerë.

Por, në mesin e tetorit të vitit 2023, kjo parti deklaroi se ishte e gatshme të merrte pjesë në zgjedhjet në komunat në veri, pa vendosur asnjë kusht për pjesëmarrje në zgjedhje, siç kishte bërë më herët.

Ky qëndrim i kësaj partie u mor pasi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, u bëri thirrje përfaqësuesve serbë në veri të Kosovës që të inicionin mbajtjen e zgjedhjeve të reja.