“Shkeli Kushtetutën” – Thaçi kërkon sërish përjashtimin e Trendafiloves, avokati jep faktet

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes avokatit të tij në Hagë, Gregory Keohe, ka kërkuar sërish përjashtimin e Kryetares së Speciales, Ekaterina Trendafilova, nga funksioni i saj në caktimin e gjyqtarëve të Apelit që do ta kenë në dorë vendimin për lirimin ose jo nga paraburgimi të ish-drejtorit politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kërkesa e Keohes është parashtruar më 31 gusht dhe përmban gjithësej 22 faqe me argumente se pse Trendafilova duhet të përjashtohet nga funksioni i lartëpërmendur. E njëjta kërkesë ka dy konkluzione si më poshtë:

KËRKON që të rishqyrtojë Vendimin për Përjashtim dhe Vendimin për Caktimin e Ankesës për Paraburgim; dhe
KËRKON refuzimin ose përjashtimin e gjyqtares Ekaterina Trendafilova, Kryetare e Dhomave të Specializuara të Kosovës, nga detyra specifike gjyqësore për caktimin e Kolegjit të Apelit për të gjykuar Apelin e Paraburgimit të zotit Thaçi, në bazë të nenit 37 (4) dhe nenit 33 (1).

Argumentimi kryesor i Keohes në lidhje me vendimin e parë kur u refuzua kërkesa për përjashtimin e Trendafiloves, është konstatimi i kësaj të fundit se “presidentja e ZPS-së nuk mund ta diskualifikojë veten e saj nga një funksion i caktuar, shkruan lajmi.net.

Sipas Keohes, ky konkluzion i Trendafiloves është një shkelje e pastër e Kushtetutës së Kosovës dhe rrëshqitje në arsyetim jo-ligjor.

“Mbrojtja parashtron se konkluzioni i Presidentes, domethënë se ajo nuk mund të përjashtojë veten ose të skualifikohet nga ushtrimi i detyrave të saj administrative, është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës (“Kushtetuta”), Ligjin dhe KEDNJ -në, dhe për këtë arsye duhet të rishqyrtohet bazuar në atë se përbën një gabim të qartë të arsyetimit. Zoti Thaçi ka të drejtë në një gjykatë të pavarur dhe të paanshme të krijuar me ligj, e cila i garantohet me nenin 31 (2) të Kushtetutës, nenin 6 (1) të KEDNJ -së, nenin 10 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut ( “UDHR”) dhe Neni 14 i Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike (“ICCPR”). KEDNJ, DUDNJ dhe ICCPR janë autoritet ligjor detyrues për Dhomat e Specializuara të Kosovës (“DSK”), siç është urdhëruar nga Neni 3.2 (e) i Ligjit dhe Neni 22 i Kushtetutës. Në rast të ndonjë konflikti midis këtyre instrumenteve ndërkombëtare dhe ligjeve të Kosovës, neni 22 i Kushtetutës e bën të qartë se dispozitat e këtyre instrumenteve ndërkombëtare duhet të mbizotërojnë mbi dispozitat e ligjit të Kosovës (përfshirë Ligjin)”, thuhet në arsyetimin e Keohes.

Keohe e konsideron si kundërthënës faktin se Trendafilova konkludon se ajo nuk mund të përjashtohet nga funksionet e saja administrative, teksa në anën tjetër nuk përjashton faktin se paanësia e saj në çështjet gjyqësore mund të vihet në pikëpyetje, e që është pikërisht një ndër faktet bazë kur mirret parasysh përjashtimi i një gjyqtari.

Për më tepër, Keohe dyshon në paanësinë e presidentes Trendafilova për faktin e komunikimit me Prokurorinë Speciale pa dijeninë e mbrojtjes, shkruan tutje lajmi.net.

Këtë fakt, ai e përmend në njërën prej pikave argumentuese të tij.

“Argumentet e Prokurorit Special kundër kërkesës së zotit Thaçi në pritje për lirim të përkohshëm, të bëra në prani të Presidentes dhe pa dijeninë e Mbrojtjes, përbëjnë qartë komunikimet të ndaluara ex parte. Neni 11 i Kodit të Sjelljes Profesionale të DSK-së ndalon “kontaktin” me një gjyqtar në lidhje me bazueshmërinë e një rasti, “përveç rasteve kur është e përshtatshme brenda kontekstit të procedurës.” Nuk bën përjashtime nëse ai kontakt në thelb “nuk i drejtohej” gjyqtarit ose nëse nuk “kishte për qëllim të nxirrte ndonjë përgjigje ose veprim” nga ana e gjyqtarit, veçanërisht kur (si këtu) avokati është në dijeni të pranisë së gjyqtarit dhe se pala kundërshtare nuk është e pranishme”, thuhet në argumentimin e avokatit Keohe, shkruan lajmi.net.

Kujtojmë se para pak ditësh është përjashtuar nga Paneli i Apelit gjyqtari që kishte hapur mundësinë e lirimit me kusht për Thaçin, Kai Ambos.

Përjashtimi i këtij të fundit ishte bërë nga pikërisht Ekaterina Trendafilova, presidentja e e Dhomave të Specializuara të Gjykatës.

Në panel ndërkaq janë caktuar gjyqtarët Michele Picard, Emilio Gatti dhe Nina Jorgensen.