Shkelzen Maliqi: Me sondazhet e momenteve të fundit nuk ndryshohet disponimi i votuesve

443

Që nga fillimi i janarit, partitë politike si dhe mediet në vazhdimësi kanë prodhuar e ofruar sondazhe të shumta në lidhje me dispononim e qytetarëve për të votuar në zgjedhjet e 14 shkurtit dhe atë se si do të renditen partitë politike, shkruan IndeksOnline.

Ndonëse në të gjitha prej tyre renditja e partive politike thuajse ka qenë e njëjtë, ajo që ka ndryshuar në vazhdimësi ka qenë përqindja që ato kanë marrë nga respondentët apo qytetarët që janë përgjigjur në pyetjet e këtyre sondazheve.

Jo rrallë herë partitë politike i kanë përdorur këto sondazhe, për të ndryshuar apo bindur votuesit se duhet votuar x partinë politike.

Mirëpo Shkelzen Maliqi, njëri nga personat që në vazhdimësi është marrë me sondazhe në zgjedhjet në Kosovë, për IndeksOnline ka thënë se zakonisht sondazhet nuk ndikojnë tek votuesit dhe nuk orientojnë ata se për këtë votojnë.

“Zakonisht nuk ndikojnë shumë. Partitë politike e kanë perceptimin e gabuar se me sondazhe mund të ndikojnë ose të bëjnë diçka. Ndërsa shumë pak ose pjesërisht krijohet njëfarë momentumi. Zakonisht nuk ndikojnë, 90 e më shumë për qind e votuesve e dinë kujt kanë me ja dhanë votën”, tha Maliqi për IndeksOnline.

Sipas tij, sondazhet kanë kuptim kur bëhen në një kohë relativisht më të gjatë para mbajtjes së zgjedhjeve qoftë në nivel qendror apo në atë lokal. Në situata të tilla partitë do të informoheshin më saktë e do të punonin aty ku kanë ngecje sa i përket votës së qytetarëve. Sondazhet e momenteve të fundit nuk e sjellin ndryshimin.

“Sondazhet kanë kuptim kur bëhen 4-5 muaj më herët dhe partitë njofton me disponimin e qytetarëve dhe orientimin e tyre, te cilat shtresa të popullsisë munden me ndiku dhe me punu në atë drejtim, e jo në moment të fundit me provu me sondazhe me ndërru disponimin”, nënvizoj Maliqi.

Ai ka bërë të ditur se në dielën në ora 19:00 do të dal me exit-pollin e tij, gjë të cilën e aplikon tash e sa vite.