Shkupi i bën bashkë Kurtin, Ramën, O’Brien dhe Vuçiqin javën e ardhshme, shkak Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor

Liderët e Ballkanit Perëndimor do të mblidhen në fillim të javës së ardhshme në Shkup, ku me përfaqësues të BE-së dhe organizatave rajonale do të diskutojnë Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor të miratuar nga Komisioni Evropian.

Mikpritës i takimit të hënën më 22 janar do të jetë kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ndërsa pjesëmarrjen e kanë paralajmëruar: kryeministrat e Kosovës dhe Shqipërisë, Albin Kurti dhe Edi Rama, ai i Malit të Zi, Millojko Spajiq, presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe ministri i Financave dhe Thesarit në Këshillin e Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, Srgjan Amixhiq, kanë kumtuar nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

Në këtë takim do të marrin pjesë edhe Drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim në Komisionin Evropian, Gert Jan Koppmann dhe Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien.

Do të marrin pjesë edhe zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq dhe ministri i Financave Fatmir Besimi, si dhe homologët e tyre nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në takimin për Planin për Rritje në Ballkanin perëndimor në Shkup marrin pjesë organizatat rajonale, Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, CEFTA dhe Forumi i Investimeve i Gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor, si dhe institucionet financiare ndërkombëtare.

Në nëntor të vitit të kaluar, Komisioni Evropian prezantoi një plan të ri të rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili përfshin gjashtë miliardë euro grante dhe kredi për të përshpejtuar afrimin socio-ekonomik me Bashkimin Evropian.

Demokracia