Apeli kthen në rigjykim rastin e Pal Lekajt dhe të tjerëve

Gjykata e Apelit ka aprovuar ankesën e mbrojtësve të akuzuarve G.R., P.L. dhe I.I., me aprovimin e pjesshëm të ankesës së të akuzuarit V.H., dhe sipas detyrës zyrtare, ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë dhe çështja kthehet në rigjykim për tri pika.

I pandehuri G.R akuzohet për shkak të veprës penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, P.L. dhe I.I., akuzohen për shkak të veprës penale të kryer në bashkëkryerje dhe vazhdimësi keqpërdorim i pozitës apo autoritetit dhe V.H. akuzohet për shkak të veprave penale mashtrim lidhur me subvencione.

Komunikata e plotë:

GJYKATA E APELIT E KOSOVËS – DEPARTAMENTI SPECIAL, në kolegjin e përbërë nga gjyqtarët Bashkim Hyseni – kryetar, Kreshnik Radoniqi dhe Tomislav Petrovic – anëtarë, me pjesëmarrjen e bashkëpunëtores profesionale Alba Makolli, në lëndën penale ndaj të akuzuarit G.R. për shkak të veprës penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 par. 1 lidhur me par. 2 të KPRK-së, të akuzuarve P.L. dhe I.I., për shkak të veprës penale të kryer në bashkëkryerje dhe vazhdimësi keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 par. 1 lidhur me par. 2 e lidhur me nenet 31 dhe 81 të KPRK-së, dhe të akuzuarit V.H. për shkak të veprave penale mashtrim lidhur me subvencione në vazhdimësi nga neni 262 të KPPK-së dhe veprës penale shmangie nga tatimi nga neni 249 par. 2 lidhur me par. 1 të KPPK-së, duke vendosur në lidhje me ankesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe ankesat e mbrojtësve të akuzuarit G.R. avokati Ndrecë Dodaj, të akuzuarit P.L. avokatit Arianit Koci, të akuzuarit I.I., avokatit Bajram Morina dhe të akuzuarit V.H., avokatit Agim Muhaxhiri, të paraqitura kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Gjakovë – departamenti për Krime të Rënda, PKR.nr.64/18 i datës 02.04.2021, në seancën e kolegjit të mbajtur me datë 08.07.2021, mori këtë:

A K T GJ Y K I M

1. REFUZOHEN pjesërisht si të pabazuara ankesa e Prokurorisë Speciale e Republikës së Kosovës dhe ankesa e mbrojtësit të akuzuarit V.H., ndërsa aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Gjakovë – Departamenti për Krime të Rënda, PKR.nr.64/18 i datës 02.04.2021, në pikën IV ndaj të akuzuarit V.H. për vepër penale shmangie nga tatimi nga neni 249 par. 2 lidhur me par. 1 të KPK-së, VËRTETOHET.

Për ketë vepër penale, Gjykata e Apelit të akuzuarit V.H. ti shqipton dënim me gjobë në shumë prej 3000 (tremijë) euro dhe dënim me burg në kohëzgjatje prej 1 (një) viti, ku dënimi me burg nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari në afat prej 1 viti nuk kryen ndonjë vepër të re penale, ndërsa dënimin me gjobë i akuzuari obligohet ta paguaj në afat prej 3 (tre) muajve, nga dita e marrjes së këtij aktgjykimi. Në rast se i akuzuari dështon të paguaj dënimin me gjobë të shqiptuar si me lartë, atëherë Gjykata e shkallës së parë do të zëvendësojë dënimin me gjobë në dënim me burg në kohëzgjatje prej 150 (njëqindepesëdhjetë) ditësh, duke llogaritë 1 (një) ditë burgim me 20 (njëzetë) euro të gjobës.

I akuzuari V.H. obligohet që ATK-së, në emër të dëmit të shkaktuar t’i kompensojë shumën prej 13,907,04 euro për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), shumë prej 7,376.07 euro për Tatim në të Ardhura Personale, si dhe në emër të kontributeve pensionale shumën prej 3.435,48 euro, në shumë totale prej 24,718.59 euro, në afat prej 6 (gjashtë) muaj, nga dita e pranimit të këtij aktgjykimi, nën kërcënimin e përmbarimit.

I akuzuari V.H. obligohet që të paguaj shpenzimet e procedurës penale sa do të bëhen sipas llogarisë përfundimtare të gjykatës, si dhe shpenzimet e paushallit gjyqësor në shumë prej 50 (pesëdhjetë) euro, dhe në emër të kompensimit të viktimave të krimit, shumën prej 50 (pesëdhjetë) euro, të gjitha këto në afat prej 30 (tridhjetë) ditësh, nga dita e pranimit të këtij aktgjykimi.

2. Me aprovimin e ankesave të mbrojtësve të akuzuarve G.R., P.L. dhe I.I., me aprovimin e pjesshëm të ankesës së të akuzuarit V.H., dhe sipas detyrës zyrtare, ANULOHET aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Gjakovë – Departamenti për Krime të Rënda, PKR.nr.64/18 i datës 02.04.2021, në pikat I, II dhe III dhe çështja kthehet në rigjykim për këto tri pika.

3. Ankesa e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për pikët I, II dhe III të aktgjykimit të ankimuar, tani për tani është jo-lëndore.

A r s y e t i m

Gjykata Themelore në Gjakovë – Departamenti për Krime të Rënda me aktgjykimin PKR.nr.64/18 të datës 02.04.2021, i ka shpallur fajtor të akuzuarin G.R., P.L., I.I. dhe V.H..

Të akuzuarin G.R. për shkak të veprës penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 par. 1 lidhur me par. 2 të KPRK-së. Të akuzuarit P.L. dhe I.I. për shkak se në bashkëkryerje dhe vazhdimësi kanë kryer veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 par. 1 lidhur me par. 2 e lidhur me nenet 31 dhe 81 të KPRK-së. Të akuzuarin V.H. për shkak të veprave penale Mashtrim lidhur me subvencione në vazhdimësi nga neni 262 të KPRK-së dhe veprës penale Shmangie nga tatimi nga neni 249 par. 2 lidhur me par.1 të KPRK-së.

Gjykata e shkallës së parë të akuzuarit i ka gjykuar me dënime si në vijim:

– Të akuzuarit G.R., i ka shqiptuar dënim me kusht, duke ia përcaktuar dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 1 (një) viti, i cili dënim nuk do të ekzekutohet, nëse në afatin e verifikimit prej 2 (dy) viteve, nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit, nuk do të kryej vepër tjetër penale.

– Të akuzuarit P.L., i ka shqiptuar dënim me kusht, duke ia përcaktuar dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 1 (një) viti e 6 (gjashtë) muaj, i cili dënim nuk do të ekzekutohet, nëse në afatin e verifikimit prej 2 (dy) viteve, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, nuk do të kryej vepër tjetër penale.

– Të akuzuarit I.I., i ka shqiptuar dënim me kusht, duke ia përcaktuar dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 1 (një) vit e 6 (gjashtë) muaj, i cili dënim nuk do të ekzekutohet, nëse në afatin e verifikimit prej 2 (dy) viteve, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, nuk do të kryej vepër tjetër penale.

– Të akuzuarit V.H. për veprën penale si në dispozitivin III të aktgjykimit i ka përcaktuar dënim me gjobë në shumë prej 5000 (pesëmijë) euro, ndërsa për veprën penale si në dispozitivin IV të aktgjykimit i ka përcaktuar dënim me gjobë në shumë prej 3000 (tremijë) euro dhe dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 (një) viti, ashtu që e ka gjykuar me dënim unik me gjobë në shumë prej 8000 (tetëmijë) euro, të cilin dënim duhet ta paguajë në afat prej 3 (tre) muajve, nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit si dhe me dënim me kusht duke ia vërtetuar dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 1 (një) viti i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari në afatin e verifikimit prej 2 (dy) viteve nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit, nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale. Nëse i akuzuari V.H. nuk dëshiron ose nuk mund ta paguajë dënimin me gjobë, atëherë gjykata të akuzuarit ia zëvendëson dënimin me gjobë me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 400 (katërqind) ditëve, duke ia llogaritur për çdo ditë të kaluar në burg nga 20 (njëzet) euro.

Ndaj të akuzuarve G.R., P.L. dhe I.I. iu shqiptohet dënim plotësues, ashtu që të njëjtëve iu ndalohet ushtrimi i funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 2 (dy) viteve nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Janë detyruar të akuzuarit G.R., P.L., I.I. dhe V.H. që në emër të dëmit të shkaktuar në mënyrë solidare të dëmtuarës Komunës së Gjakovës të ia kompensojnë dëmin në vlerë prej 69.786.00 euro, në afat prej 1 (një) viti nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Është detyruar i akuzuari V.H. që ATK-së, t’i kompensojë shumën prej 21.283.00 euro në emër të tatimit të pa paguar si dhe në emër të kontributeve personale shumën prej 3.435,48 euro, në afat prej 1 (një) viti nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Janë detyruar të akuzuarit që t’i paguajnë shpenzimet e procedurës penale sa do të jenë sipas llogarisë së gjykatës si dhe shpenzimet e paushallit gjyqësor secili veç e veç në shumën nga 200 (dyqind) euro, si dhe në emër të programit për kompensimin e viktimave të krimit, secili veç e veç shumën nga 50 (pesëdhjetë) euro, të gjitha këto në afat prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Kundër këtij aktgjykimi në afat ligjor ankesë kanë ushtruar:

– Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për shkak të vendimit mbi dënim, me propozim që të aprovohet në tërësi ankesa si e bazuar, ndërsa aktgjykimi të ndryshohet sa i përket vendimit mbi dënim, ashtu që ndaj të akuzuarve të shqiptohet dënim më i lartë me burgim efektiv dhe me gjobë.

– Mbrojtësi i të akuzuarit G.R., avokati Ndrecë Dodaj, për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar ose jo të plotë të gjendjes faktike dhe shkeljes së ligjit penal, me propozim që të anulohet aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë për rigjykim e vendim, apo të ndryshohet aktgjykimi ashtu që i akuzuari të lirohet.

– Mbrojtësi i të akuzuarit P.L., avokati Arianit Koci, për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave procedurale penale dhe vërtetimit të gabuar ose jo të plotë të gjendjes faktike, me propozim që të ndryshohet aktgjykimi dhe të shpallet aktgjykim lirues, apo që të anulohet aktgjykimi dhe lënda të kthehet në rigjykim dhe vendim.

– Mbrojtësi i të akuzuarit I.I., avokati Bajram Morina, për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së ligjit penal, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, vendimit mbi shqiptimin e sanksioneve, shqiptimit të dënimit plotësues për mos ushtrim të funksioneve në administratën publike, ose në shërbim publik në kohëzgjatje prej 2 (dy) viteve, shqiptimit të sanksionit për kompensim të dëmit material në mënyrë solidare me të akuzuarit tjerë në shumë prej 69,786.00 euro dhe detyrimit për pagesën e shpenzimeve procedurale – paushallit gjyqësor në shumë prej 200 euro dhe kompensimin e viktimave të krimit në shumë prej 50 euro, me propozim që të merret aktgjykim lirues ndaj të akuzuarit ose të refuzohet ankesa e Prokurorisë së Shtetit për shkak të parashkrimit absolut të ndjekjes penale.

– Mbrojtësi i të akuzuarit V.H., avokati Agim Muhaxhiri, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së ligjit penal, vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike

– Përgjigje në ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës ka paraqitur mbrojtësi i të akuzuarit I.I., avokati Bajram Morina, me propozim që të refuzohet ankesa, kurse të aprovohet ankesa e mbrojtjes, ndërsa aktgjykimi të ndryshohet në dobi të akuzuarit, ashtu që ndaj të akuzuarit të merret aktgjykim lirues, ose të refuzohet aktakuza për shkak të parashkrimit absolut ose lënda të kthehet në rishqyrtim dhe rivendosje.

– Përgjigje në ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës ka paraqitur mbrojtësi i të akuzuarit V.H., avokati Agim Muhaxhiri, me propozim që ankesa të hudhet si jo lëndore, meqenëse është e paqartë.

Prokuroria e Apelit me parashtresën PPA/I.nr.206/21 të datës 26.05.2021, ka propozuar që të aprovohet si e bazuar ankesa e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe aktgjykimi të ndryshohet sa i përket vendimit mbi dënim dhe të akuzuarve të iu shqiptohen dënime të larta me burg efektiv dhe dënim me gjobë, ndërsa të refuzohen ankesat e mbrojtësve të akuzuarve G.R. avokati Ndrecë Dodaj, P.L. avokati Arianit Koci, I.I. avokati Bajram Morina dhe V.H. avokati Agim Muhaxhiri, si të pabazuara.

Gjykata e Apelit mbajti seancën e kolegjit konform nenit 390 par. 1 të KPPRK-së, në të cilën ishin të pranishëm i akuzuari G.R. dhe mbrojtësi i tij avokati Ndrecë Dodaj, mbrojtësi i të akuzuarit P.L. avokati Arianit Koci, i akuzuari I.I. dhe mbrojtësi i tij avokati Bajram Morina, i akuzuari V.H. dhe mbrojtësi i tij avokati Agim Muhaxhiri. Në seancë nuk morën pjesë përfaqësuesi i palës së dëmtuar Komuna e Gjakovës Vjollca Shyti e cila përmes një parashtrese ka njoftuar Gjykatës se nuk do të mund të merr pjesë për shkak të angazhimeve tjera gjyqësore të caktuara më parë, në seancë po ashtu nuk prezantuar Prokurori i Apelit e as i akuzuari P.L., edhe pse të njoftuar në mënyrë të rregullt për datën dhe vendin e mbajtjes së seancës së kolegjit. Gjatë seancës palët prezent mbeten pran ankesave të parashtruara dhe propozimet e bëra në ankesa.

Gjykata e Apelit e shqyrtoi aktgjykimin e ankimuar, detyrimisht në kuptim të dispozitës së nenit 394 par. 1 të KPPRK-së, vlerësoi pretendimet ankimore së bashku me shkresat tjera të lëndës dhe pas vlerësimit të shkresave të lëndës, gjeti se:

– Ankesa e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe ankesa e mbrojtësit të akuzuarit V.H. që kanë të bëjnë me pikën IV të aktgjykimit të ankimuar janë të pabazuara, ndërsa ankesat e mbrojtësve të akuzuarve G.R., P.L., I.I., dhe pjesërisht ankesa e mbrojtësit të akuzuarit V.H. janë të bazuara. Pjesa tjetër e ankesës së Prokurorisë tani për tani është jo-lëndore.

Pretendimet Ankimore

Ankesa e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës aktgjykimin e ka atakuar vetëm për shkak të vendimit mbi dënim, duke theksuar se bindja e gjykatës së shkallës së parë se me dënimin me kusht mund të arrihet efekti dhe qëllimi i dënimit një konstatim i cili sipas ankesës nuk qëndron. Kështu, pretendon se veprat penale të korrupsionit apo siç njihen në teorinë e kriminologjisë “veprat e jakës së bardhë”, nuk mund të kryhen nga çdo person, por vetëm nga persona të caktuar të cilët kanë autorizime që burojnë nga ligji, apo aktet nënligjore për t’i kryer detyrat e caktuara në kuadër të fushëveprimit dhe detyrave të punës. Më tutje theksohet të akuzuarit dëmin të cilin ia kanë shkaktuar buxhetit të shtetit në vlerë të lartë, pra vetëm dënimi me efektiv mund të arrijë qëllimin e dënimit dhe peshën e veprës penale, ndërsa dënimet tjera alternative janë jo adekuate dhe jo në proporcion me veprat penale. Andaj, dënimi me kusht nuk qëndron sepse në rastin konkret veprat penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 par.1 të KPRK-së, shmangie nga tatimi nga neni 313 par.3 të KPRK-së dhe mashtrim lidhur me subvencione nga neni 262 të KPRK-së, bien ndesh me nenin 50 të KPRK-së, pasi që dispozita zbatohet për vepra të lehta penale, e në rastin konkret veprat penale nuk konsiderohen vepra të lehta penale por vepra të veçanta penale dhe dënimi për këto vepra penale duhet të jetë efektiv dhe jo me kusht, siç ka shqiptuar gjykata e shkallës së parë. Andaj, dënimi i shqiptuar ndaj të akuzuarve nuk e ka arritur efektin dhe qëllimin e dënimit por tek shoqëria ka krijuar një precedent dhe mosbesim sa i përket shqiptimit të dënimeve, ndërsa tek të akuzuarit ka krijuar bindjen se në të ardhmen pavarësisht peshës së veprave penale gjykatës i mjafton të shqiptojë një dënim me kusht dhe me këtë të arrijë efektin dhe qëllimin e dënimit. Më tutje theksohet se janë mbivlerësuar rrethanat e lartcekura, sepse vendimi mbi sanksionin penal nuk është në proporcion me shkallën e përgjegjësisë penale dhe shkallën e rrezikshmërisë shoqërore. Në rastin konkret të akuzuarit kanë kryer veprat penale me dashje të drejtpërdrejt duke e ditur se ato shkaktojnë pasoja të ndaluara ligjore dhe të rrezikshme, duke tejkaluar kompetencat përtej autorizimeve që u garanton ligji, duke përvetësuar dobi pasurore për vete, apo për personat tjerë, të cilat paraqesin rrethana rënduese. Duke pasur parasysh këto pretendime prokuroria thekson se për prokurorinë çfarëdo dënimi përveç dënimit me burgim efektiv nuk do të arrijë efektin dhe qëllimin e dënimit.

Ankesa e mbrojtësit të akuzuarit G.R. avokati Ndrecë Dodaj

Në ankesën e mbrojtësit të akuzuarit pretendohet se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë është përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 par.1 pika 1.12 lidhur me nenin 370 par.6 dhe 7 të KPP-së, me arsyetimin se nuk janë dhënë arsye të mjaftueshme për çështjet kryesore, ndërsa arsyet e dhëna janë në kundërshtim me vetveten dhe përmbajtjen e të gjitha shkresave të lëndës, përkatësisht deponimeve të dëshmitarëve dhe provave materiale. Edhe pse në dispozitiv të aktgjykimit potencohet se i akuzuari ka qenë në cilësi të personit zyrtar si zyrtar kryesor financiar, në arsyetim të aktgjykimit vërtetohet se i njëjti ka qenë vetëm një zyrtar administrativ në grupin e shërbyesve civil që nuk ka pasur përgjegjësi lidhur me alokimin apo zotimin e mjeteve financiare për të cilat pretendohet se i ka keqpërdorur. Ndërsa, fare nuk është sqaruar se si janë keqpërdorur mjetet nga ana e të akuzuarit, meqenëse nga provat rezulton se i akuzuari nuk ka pasur të bëjë me shpërndarjen e subvencioneve dhe marrjen e vendimeve për alokim apo aprovim të mjete financiare në mënyrë që të ketë qasje në mjetet financiare. Lidhur me vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, sipas ankesës gjendja faktike është vlerësuar gabimisht me atë që ka të bëjë me faktet vendimtare, se i akuzuari a i ka kryer punët dhe detyrat e punës si zyrtar kryesor financiar apo ka qenë vetëm një zyrtar administrativ që nuk ka pasur rol në ndarjen, alokimin apo aprovimin e kërkesës për ndarje të hollave. Nga mbrojtja e të akuzuarit kuptohen detyrat e tij dhe sqarohet se në urdhërpagesa është nënshkruat vetëm si zyrtar administrativ. Nga mbrojtja e dëshmitarëve vërtetohet se asnjëri nuk ka pas të bëjë me të akuzuarin G..

Lidhur me vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, pretendohet se gjykata e shkallës së parë gabimisht ka vlerësuar gjendjen faktike që ka të bëjë me faktet vendimtare që vërtetojnë elementet që përbëjnë figurën e veprës penale. Nga deklarata e të akuzuarit vërtetohet se i akuzuari në urdhërpagesa është nënshkruar si zyrtar administrativ, e asnjëherë si zyrtar kryesor financiar. Po ashtu, i akuzuari ka deklaruar se me pozitën që kishte nuk ka mundur të ndaloj një urdhërpagese, nëse është aprovuar nga bordi i drejtorëve, gjë që ka ndodhur në rastin konkret. Nga deklaratat e dëshmitarëve asnjëri prej tyre nuk e njohin dhe përmendin të akuzuarin G.. Ndërsa, nga deklaratat e dëshmitarëve T. Sh. dhe B. E., të njëjtin kanë sqaruar procedurën e alokimit dhe aprovimit të mjeteve, si dhe faktin se kompetencat për një gjë të tillë i bart Drejtori për Buxhet dhe Financa nga ana e Kryetarit të Komunës. Lidhur me kompetencat e ZFK-së dhe se i akuzuari a i ka ushtruar ato kompetenca janë dëgjuar edhe eksperti financiar G. G., grupi i ekspertëve nga Fakulteti Ekonomik i UP-së, por edhe disa prova materiale të cilat i liston mbrojtja e që mbështesin deklaratat e të akuzuarit se i njëjti nuk i ka ushtruar ato kompetenca, por ato janë bartur tek stafi politik i Komunës. Këto fakte të vërtetuara gabimisht siç pretendon mbrojtja kanë ndikuar edhe në shkeljen e ligjit penal në dëm të akuzuarit, me rastin e shpalljes fajtor të tij. Andaj, duke marrë parasysh këto pretendime ka propozuar si më lartë.

Ankesa e mbrojtësit të akuzuarit P.L. avokati Arianit Koci

Në ankesën e mbrojtësit të akuzuarit P.L. avokati Arianit Koci pretendohet se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë është përfshirë me shkelje esenciale të nenit 384 par.1 pika 1.12 lidhur me nenin 370 par.6 dhe 7, po ashtu të nenit 384 par.2.1 lidhur me nenin 7 të KPP-së. Në rastin konkret gjykata e shkallës së parë nuk ka identifikuar veprimet inkriminuese të të akuzuarit, gjë që vërtetohet edhe nga arsyetimi i aktgjykimit në faqen 32 par.2 të cilit arsyetim i është referuar edhe mbrojtja. Duke vepruar në këtë mënyrë, gjykata ka dështuar të japë përgjigje se cilat dispozita dhe shkelje ligjore i ka bërë i akuzuari. Më tutje në ankesë, mbrojtësi në veçanti elaboron elementet e veprës penale për të cilën i akuzuari është shpallur fajtor, duke dhënë sqarime lidhur me elementet e veprës penale në fjalë, e që në disa konstatime gjykata e shkallës së parë e shfajëson të akuzuarin edhe nga elementi esencial i veprës penale e që është dashja e drejtpërdrejt. Mbrojtësi pretendon se gjykata nuk dhënë arsye të mjaftueshme lidhur me kontraditoritetin mes ekspertizave të ndryshme, duke ia falur besimin ekspertizës së propozuar nga Prokuroria, e cila nuk ka mundur të sfidohet nga mbrojtja, duke qenë se eksperti Q. H. kishte vdekur. Me rastin e kundërthënieve mes ekspertizave, është bërë edhe ekspertizë e tre ekspertëve të pavarur, të cilët kanë ardhur në përfundime të ngjashme me ekspertizat e R.B. por edhe të mbrojtjes, duke gjetur se nuk ka pasur dëmtim të buxhetit. Mbrojtja po ashtu pretendon se nuk janë përcaktuar veprimet inkriminuese të akuzuarit dhe koha e saktë e kryerjes së veprës penale, e cila kohë është element konstituiv i veprës penale e që lidhet edhe me parashkrimin e ndjekjes penale. Gjykata e shkallës së parë nuk ka ofruar asnjë provë lidhur me përcaktimin e kohës, por vetëm i është referuar si periudhë kohore mes vitit 2008-2014.

Lidhur me vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, pretendohet se gjendja e tillë ka konsistuar në atë se gjykata e shkallës së parë, ka vlerësuar gabimisht provat dhe ka nxjerrë përfundime të gabuara lidhur me ekzistimin apo mos ekzistimin e fakteve në raport me të akuzuarin P.L.. Gjendjen e gabuar faktike, mbrojtja e sheh në faljen e besimit gabimisht ekspertizës së Q.H., e jo tek ekspertizat më profesionale, më të detajizuara dhe artikuluar. Mbrojtja në këtë bazë ankimore u referohet në veçanti dhe elaboron ekspertizat, duke filluar nga ekspertët e angazhuar nga mbrojtja, nga të cilat ekspertë evidentohen gabimet e ekspertizave të Prokurorisë, si tek dëmtimi i buxhetit dhe nënshkrimi i të akuzuarit L.. Më tutje duke iu referuar ekspertizës së R.B., e cila është urdhëruar nga vet gjykata si ekspertizë financiare, gjetjet lidhur me dëmin material dhe mungesës së përgjegjësisë së të akuzuarit. Ndërsa, nga ekspertiza e grupit të ekspertëve financiar të Fakultetit Ekonomik të UP-së, është gjetur se nuk ka pasur dëmtim buxheti apo përfitim personal. Pra, këto ekspertiza kanë vërtetuar mungesën e përgjegjësisë penale të të akuzuarit, duke demantuar kështu ekspertizën e Prokurorisë. Duke u bazuar në këto pretendime, mbrojtja ka propozuar si më lartë.

Ankesa e mbrojtësit të akuzuarit I.I. avokati Bajram Morina

Në ankesën e mbrojtësit të akuzuarit pretendohet se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë është përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 par.1 nën par.1.8 dhe 1.10 të KPP-së, duke e bazuar në provë të papranueshme siç është ekspertiza e ekspertit financiar Q.H., e cila nuk ka mundur të sfidohet për shkak të vdekjes së tij. Po ashtu, pretendohet se nuk është bërë precizimi i saktë i personave, të cilët kinse nuk kanë marrë subvencione, sepse është dashur të iu merren edhe ekspertizat grafologjike lidhur me nënshkrimet. Sipas ankesës, është shkelur edhe ligji penal, sepse ekzistojnë rrethana që përjashtojnë përgjegjësinë penale, duke iu referuar gjetjeve të ekspertizës së ekspertit R.B. sepse gjendja e faturave përputhet me gjendjen e listës së përfituesve, çka demanton ekspertizën e zt. Q. H.. Po ashtu ankesa i referohet ekspertizës së R.B., në faqe 20 dhe 13, por edhe ekspertizës së grupit të ekspertëve, të cilat qartazi vërtetojnë se shpërndarja e subvencioneve është bërë në rregull dhe në atë kohë nuk i është nënshtruar procedurave të prokurimit. Nga të dy ekspertizat rezulton se veprimet e të akuzuarit I. nuk e kanë dëmtuar buxhetin e Komunës, e as t’i kenë sjellë përfitime personale të akuzuarit. Në rastin konkret, mbrojtja shtron faktin se nuk ka palë të dëmtuar, gjë që mbështetet nga ekspertizat, por edhe nga deklarimi i dëshmitarit B. E.. Lidhur me 30 dëshmitarët që janë dëgjuar, sipas mbrojtjes 16 prej tyre janë deklaruar se kanë marrë subvencione, ndërsa 14 prej tyre nuk kanë marrë. Duke marrë parasysh faktin jo kontestues se kanë qenë 4742 përfitues dhe para gjykatës janë dëgjuar 30 fermer, nënkupton se kanë dhënë deklarata 0.063 % e dëshmitarëve, andaj nuk është i drejtë konstatimi i gjykatës se 40% e fermerëve nuk kanë marrë subvencione. Sipas ankesës, i akuzuari për të ndarë subvencione, me aprovimin e vendimeve të Bordit të Drejtorisë, ka themeluar Komisionin për vlerësim dhe shpërndarje. Kështu, pretendohet se i akuzuari nuk ka kryer veprën penale, se nuk ka pasur përfitim pasuror dhe furnizimet me subvencione përputhen me pagesat e përfituesve. Mbrojtja po ashtu thekson, se edhe përkundër supozimit se i akuzuari ka kryer veprën penale, në rastin konkret është arritur parashkrimi i ndjekjes penale, sepse data e fundit kur dyshohet të jetë marrë veprimi inkriminues është dt.15.11.2020, atëherë ka arritur parashkrimi absolut sepse kanë kaluar më shumë se 10 vite. Ndërsa, gjetja e gjykatës së parashkrimi nuk ka arritur sepse fatura e fundit është bërë me dt.18.09.2014, sipas mbrojtjes nuk ka bazë ligjore për një vlerësim të tillë, sepse një gjë e tillë është në kompetencë të Drejtorisë Komunale për Buxhet dhe Financa, e që pagesa edhe mund të vonohet. Andaj, duke u bazuar në këto pretendime ka propozuar si më lartë.

Ankesa e mbrojtësit të akuzuarit V.H. avokati Agim Muhaxhiri

Në ankesën e mbrojtësit të akuzuarit V.H. avokati Agim Muhaxhiri, pretendohet se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë përmban shkelje qenësore të ligjit penal, për shkak të gabimeve të konsiderueshme dhe zbatimit të gabuar të ligjit. Theksohet se dispozitivi i aktgjykimit nuk është në harmoni me arsyetim, i cili edhe është konfuz dhe i pakuptueshëm. Kështu mbrojtja thekson se i akuzuari nuk ka qenë person zyrtar e as person i autorizuar me autorizime të veçanta nga kuvendi i Komunës. Por, i njëjti ka qenë udhëheqës i biznesit privat “U…” si shitës, e që fare nuk ka pasur kontratë me shkrim, por vetëm marrëveshje gojore për sigurimin e sasisë së farërave dhe plehut kimik, që Drejtoria për Bujqësi e Komunës së Gjakovës, ka pasur qëllim të ua shpërndaj fermerëve sipas zgjedhjes së tyre. Komisioni i caktuar nga drejtoria për Bujqësi ka caktuar personat P. S., B. S., T. M. dhe D. Th., ndaj të cilëve është arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale, e që edhe ndaj të akuzuarit ka arritur, sepse ka kaluar afati mbi 10 vite nga koha e kryerjes së veprës penale të supozuar. Më tutje theksohet se nuk është ofruar asnjë provë se i akuzuari ka qenë përgjegjës për shpërndarjen e subvencioneve, sepse ka qenë vetëm shitës, sepse subvencionet janë ndarë paraprakisht nga anëtarët e komisionit, ndërsa lidhur me kualitetin e farërave dhe plehut, askush nuk ka pasur vërejtje. Mbrojtja po ashtu ka vërejtje tek ekspertiza e R.B. por edhe tre ekspertëve të Fakultetit Ekonomik lidhur me tatimin, sepse të njëjtit gabimisht e ngarkojnë të akuzuarin duke e rritur lartësinë e TVSH-së në mënyrë shabllone dhe të padrejtë. Shton se pagesat janë bërë me vonesë nga ATK-ja dhe ato pagesa fare nuk janë në listën e mallrave për të cilat paguhet TVSH. Ndërsa, lidhur me mos pagimin e kontributit pensional, në ekspertizë është thënë se kontributi i pensional i pronarit nuk e dëmton buxhetin e Kosovës. Më tutje theksohet se i akuzuari mallin e ka shit në vitet 2008, 2009 dhe 2010, ndërsa i njëjti akuzohet për vitet 2016 e 2018, atëherë për veprës penale të mashtrimit me subvencione ka arritur parashkrimi relativ në momentin e ngritjes së aktakuzës, e ditën e gjykimit parashkrimi absolut, ndërsa për veprën penale të shmangies së tatimit, po ashtu njësoj ka arritur parashkrimi relativ dhe absolut. Se arsyetimi i aktgjykimit është në kundërshtim me vetveten për faktin se gjykata e shkallës së parë në disa pjesë ia fal besimin ekspertizave të ekspertit financiar R.B. dhe grupit të ekspertëve të fakultetit ekonomik, çka e bën aktgjykimin tejet të paqëndrueshëm. Megjithatë, edhe nën supozimin se janë kryer veprat penale, dënimi me gjobë ndaj të akuzuarit është shumë e lartë, e cila do të ndikojë në standardin familjar të tij, ndërsa dënimi me kusht është shumë i lartë. Andaj, duke pasur parasysh këto pretendime ka propozuar si më lartë.

Gjetjet e Gjykatës së Apelit

Gjykata e Apelit duke vlerësuar pretendimet ankimore të mbrojtësve të të akuzuarve në bazë të nenit 394 par. 1 të KPRK-së, e duke vepruar edhe sipas detyrës zyrtare gjen se aktgjykimi nuk është përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 par. 1 dhe 2 të KPPRK-së, e të cilat kishin me kushtëzuar anulimin e saj, vetëm lidhur me pikën IV të aktgjykimit të ankimuar ndaj të akuzuarit V.H..

Ndërsa lidhur me pikat I, II, dhe III të aktgjykimit të ankimuar ndaj të akuzuarve G.R., P.L., I.I. dhe V.H., gjen se kemi të bëjmë me shkelje esenciale nga neni 384 par. 1 pika 1.12 lidhur me nenin 370 par. 7 të KPPRK-së, pasi që nuk janë dhënë arsye të mjaftueshme lidhur me faktet që vërtetojnë se të akuzuarit kanë kryer veprat për të cilat akuzohen.

Pika I e aktgjykimit të ankimuar ndaj të akuzuarit G.R.

Sipas kësaj pike të aktgjykimit të ankimuar rezulton se i akuzuari G.R. është fajtor se duke e shfrytëzuar detyrën zyrtare si zyrtar kryesor financiar, në periudhën 2008 – 2012, ka tejkaluar kompetencat me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër, në këtë rast personi tjetër është biznesi DPT “U…” me pronar V.H., me ç’rast ka nënshkruar dy urdhër-pagesa me numër C-68466/12 e datës 10.05.2012 dhe C-226613/12 e datës 21.08.2012, ku që të dy këto urdhër-pagesa kanë vlerën identike monetare prej 39,904.13 euro, pa procedura të subvencioneve dhe pa kontratë për shpërndarjen e subvencioneve me Komunën e Gjakovës, dhe me këtë Komunës së Gjakovës i është shkaktuar dëm në vlerë prej 69,786.00 euro.

Nga arsyetimi i aktgjykimit të ankimuar rrjedh se i akuzuari G.R. ka lejuar alokimin e mjeteve për këto pagesa dhe aprovimin e pagesave, duke e ditur se nuk janë zbatuar procedurat e tenderimit, se subvencionet janë shpërndarë nga Kompania DPT “U…” pa pasur tender, pa kontratë me këtë Kompani, dhe po ashtu duke e ditur se faturat nuk kanë përmbushur kriteret ligjore.

Megjithatë, Gjykata e Apelit gjen se fillimisht koha e kryerjes së veprës penale është përcaktuar gabimisht nga Prokuroria dhe e pasuar edhe nga Gjykata e shkallës së parë. Sipas Prokurorisë i akuzuari G.R. akuzohet për periudhën nga viti 2008 e gjer në vitin 2012, që nën kupton ka kryer veprën penale në vazhdimësi tërë vitin 2008 dhe deri në përfundim të vitit 2012. Por, më tutje në dispozitiv, lidhur me veprimet e të akuzuarit theksohet se ka lëshuar dy urdhër-pagesa, njërën me datë 10.05.2012 dhe tjetrën me 21.08.2012. Për Gjykatën e Apelit është e paqarët se cilat janë veprimet inkriminuese e të akuzuarit për vitet 2008, 2009, 2010 dhe 2011. Nga aktgjykimi ankimuar rrjedh se i akuzuari është emëruar në pozitën për të cilën akuzohet, më saktësisht pozitën e zyrtarit kryesor financiar në fund të vitit 2009, ndërsa nga urdhër-pagesat rezulton se ka nënshkruar në pozitën e zyrtarit administrativ të departamentit, në njërën ka nënshkruar në emër të Q. M., ndërsa në tjetrën në emër të tij. Nga deklarata e vet të akuzuarit kuptohet se i njëjti ka qenë Shef i Financave të Komunës së Gjakovës që nga viti 2002 e tutje. Pra, për Gjykatën e Apelin është e paqartë se cilën pozitë e ka pas i akuzuari me rastin e nënshkrimit të urdhër-pagesave dhe në çfarë cilësie i ka nënshkruar këto urdhër-pagesa.

Më tej, Gjykata e Apelit vëren se këto dy urdhër-pagesa për të cilat akuzohet i akuzuari G.R. kanë vlerën identike prej 39,904.13 euro. Këto urdhër-pagesa janë kryer sipas faturave identike të Kompanisë DPT “U…”, përveç që ndryshon data e faturave. Pra, këto fatura kanë numrin e njëjtë – 21-22/10, të drejtuara Drejtorisë për Bujqësi, përshkrimin e njëjtë – Familje të furnizuara (259), sasinë e njëjtë – 259, çmimi i njëjtë për një sasi – 154.07 euro, dhe shumën e njëjtë – 39,904.13 euro, por njëra mban datën 08.05.2012, ndërsa tjetra 17.08.2012. Siç rezulton nga shkresat e lëndës, respektivisht të dhënat financiare, që të dy këto shuma janë paguar, e që dyja në total përbëjnë shumën 79,808.26 euro.

Për Gjykatën e Apelit është e paqartë se këto dy fatura a janë një faturë e përsëritur dhe e paguar dy herë, apo janë dy fatura me të gjitha të dhënat e njëjta, numri njëjtë, shërbimi i njëjtë, sasia e njëjtë, dhe shuma identike, si dhe nga faturat nuk kuptohet se shërbimet kur janë kryer, vitet paraprake apo për vitin 2012. Sipas njërit nga katër proceset e Komisionit numër 08/320 të datës 19.11.2010 lidhur me pranimin e punëve për shpërndarjen e farës së grurit, rezulton se janë shpërndarë subvencione 259 përfituesve, çka korrespondon me sasinë në faturat e lëshuara, por vetëm për një faturë, e jo dy siç janë dorëzuar dhe realizuar pagesa dy herë.

Për më tepër këto fatura kanë kaluar tek disa zyrtar, duke u bërë autorizimi i pagesës, zotimi i mjeteve, autorizimi i shpenzimit të mjeteve, dhe në fund autorizimi i pagesës është kryer nga zyrtari certifikues, si zyrtari i kontrollit të fundit. Gjithashtu mbetet e paqartë edhe dëmi i shkaktuar i pretenduar nga prokuroria. Është e qartë se secili person përgjigjet për veprimet e veta dhe se në rastin konkret i akuzuarit G.R. akuzohet i vetëm (jo në bashkëveprim) për lëshimin e dy urdhër-pagesave në shumë të përgjithshme prej 79,808.26 euro. Por, në dispozitivin e pikës së parë Gjykata e shkallës së parë e thekson se shuma e keqpërdorur nga i akuzuari G.R. dhe të akuzuarit tjerë është 69,786.00 euro. Për Gjykatën e Apelit është e paqartë se si i atribuohet kjo shumë e pretenduar si e keqpërdorur të akuzuarit G.R.. Nëse kemi të bëjmë me pagesë të kryer dy herë për të njëjtin send, atëherë shuma mund të konsiderohet se është shuma e një fature. Nëse e kemi të bëjmë me dy pagesa të kundërligjshme, atëherë kemi shumën totale të dy faturave, por asesi nuk mund të del shuma e keqpërdorur nga i akuzuari G.R. siç pretendohet në aktakuzë dhe në aktgjykimin e ankimuar.

Gjithashtu duhet theksuar se sipas aktgjykimit të ankimuar rezulton se i akuzuari G.R. ka lejuar këto pagesa pa asnjë procedurë për shpërndarjen e subvencioneve, pa kontratë të Komunës së Gjakovës me Kompaninë. Megjithatë, nga ekspertiza financiare e kryer nga grupi i ekspertëve financiar të Fakultetit Ekonomit të Universitetit të Prishtinës të datës 15.08.2020 rezulton se në periudhën për kur janë dhënë subvencionet e që janë objekt i shqyrtimit të kësaj lënde, pra periudha 2008 – 2010, nuk ka pas procedura të përcaktuara për shpërndarjen e subvencioneve dhe kjo është rregulluar me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale (Ligji nr. 03/L-040), ku Bordi i Drejtorëve i kryesuar nga Kryetari i Komunës kanë marr vendim për ndarjen e fondeve për subvencion të bujqve. Me rregullën financiare numër 02/2009 në nenin 28 janë specifikuar shpenzimet që nuk kërkojnë prokurim, ku në mesin e disa shpenzimeve janë edhe “Subvencionet dhe Transferet”. Pra, për subvencione nuk parashihej të hapet tender publik, ndërsa nuk kishte procedura të parapara për ndarjen e subvencioneve në Komunën e Gjakovës deri në Maj të vitit 2015. Sipas ekspertizës së lartcekur, ishte në kompetencën e Bordit të Drejtorëve të merr vendim për ndarjen e subvencioneve në atë kohë.

Duhet të theksohet edhe fakti se sipas aktgjykimit të ankimuar thuhet se nuk ka pas kontratë në mes të Komunës së Gjakovës dhe Kompanisë DPT “U…” për ndarjen e sendeve bujqësore si subvencione dhe se nga aktgjykimi i ankimuar nuk mund të shihet se është administruar si provë ndonjë kontratë për këtë çështje. Megjithatë, nga ekspertiza e ekspertëve të Fakultetit Ekonomik rezulton se të njëjtit me rastin e kryerjes së ekspertizës, duke i vlerësuar provat që gjendeshin ne shkresat e lëndës, kanë vlerësuar edhe një kontratë, ku në faqen 10 të kësaj ekspertize figuron se e kanë vlerësuar “Marrëveshja e datës 09.10.2008 me firmën “U…” – Gjakovë”. Por, kjo marrëveshje nuk është vlerësuar fare nga Gjykata e shkallës së parë dhe të jepet ndonjë vlerësim për ekzistimin e marrëveshjes, autenticitetin e saj, kohëzgjatjen, etj.

Andaj, në rigjykim Gjykata e shkallës së parë për këtë pikë të aktakuzës duhet përsëri të administroj provat materiale, të dëgjoj dëshmitar në rast nevoje, të saktësoj kohën e kryerjes së veprës penale të pretenduar nga Prokuroria, të sqaroj se në kohën e veprimeve të supozuara inkriminuese të të akuzuarit G.R. çfarë pozite zyrtare ka pas dhe a ka pas autorizim të nënshkruaj në emër të zyrtarit tjetër, duhet të sqarohet pse kemi dy fatura identike dhe dy pagesa të njëjta për sendin e njëjtë, duhet të vlerësohet dhe arsyetohet dashja për të kryer veprën penale e sidomos kur kemi të bëjmë me urdhër-pagesa të nënshkruara nga pesë persona, kurse akuzohet vetëm një person, atëherë duhet të vërtetohet dashja e këtij personi të akuzuar, duhet të saktësohet dëmi i shkaktuar nga i akuzuari G.R. me veprimet e tij sepse i njëjti akuzohet vetëm për dy urdhër-pagesa dhe nuk akuzohet se këtë vepër e ka kryer në bashkëveprim, dhe në fund duhet të vlerësohet legjislacioni në fuqi në kohën e pretenduar për ndarjen e subvencioneve dhe kush kishte autorizime për ndarjen e subvencioneve në atë kohë dhe për këtë duhet të referohet ekspertizës së ekspertëve të Fakultetit Ekonomik dhe të rishikohen shkresat e lëndës për ndonjë marrëveshje eventuale të Komunës së Gjakovës me Kompaninë DPT “U…” apo të ftohen ekspertët dhe të sqarojnë se ku kanë has në marrëveshjen e përmendur të cilën aktgjykimi i ankimuar fare nuk e përmend. Pas sqarimit të çështjeve të lartcekura Gjykata do të mund të merr aktgjykim të drejtë dhe të ligjshëm.

Pika II e aktgjykimit të ankimuar ndaj të akuzuarve P.L. dhe I.I.

Sipas kësaj pike të aktgjykimit të ankimuar rezulton se të akuzuarit P.L. dhe I.I. janë fajtor se në periudhën 2008 – 2014, në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje kanë keqpërdor pozitën e tyre zyrtare duke tejkaluar kompetencat dhe mos përmbushjes së detyrave të tyre, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për veti apo personin tjetër, me çka nuk kanë respektuar procedurat e prokurimit publik, kanë ndarë subvencione pa pas rregullore, pa lidhur kontratë me Kompani dhe nuk kanë mbikëqyr shpërndarjen dhe pagesën e subvencioneve. Lidhur me këtë i akuzuari P.L. akuzohet se ka lëshuar vendime të cilat mbulojnë shumën prej 235,400.00 euro, vendime tjera pa bazë juridike që shuma e tyre shkon deri në 631,671.82 euro. Më tej akuzohen se nuk kanë respektuar fondin e subvencioneve dhe kanë marr mjete monetare nga vijat tjera buxhetore, nuk kanë mbikëqyr komisionin për mbikëqyrjen e punëve e as biznesin që ka ndarë subvencionet që ka rezultuar se një numër i madh i personave të evidentuar nuk kanë pranuar fare subvencione dhe me këtë i është shkaktuar dëm buxhetit të Komunës së Gjakovës në shumë prej 69,786.00 euro.

Edhe në këtë pikë të aktakuzës koha e kryerjes së veprës së pretenduar penale përcaktohet në mënyrë paushall e jo në kohën kur të akuzuarit kanë vepruar apo është dashtë të veprojnë. Sipas aktakuzës të njëjtit akuzohen se në bashkëkryerje dhe vazhdimësi nga viti 2008 deri në vitin 2014 kanë keqpërdorë detyrën e tyre zyrtare.

Megjithatë, nga provat e administruara në shqyrtim gjyqësor e që gjenden në shkresat e lëndë, respektivisht vendimet e lëshuara për të cilat akuzohet i akuzuari P.L., të gjitha janë të lëshuara në vitet 2008, 2009, 2010 dhe 2011. Këto vendime janë: Vendimi 01nr 06-45/2008 i datës 22.09.2008, Vendimi 01nr.136/2008 i datës 14.11.2008, Vendimi 01nr.32/2009 i datës 03.03.2009, Vendimi 01nr.119/2009 i datës 15.09.2009, Vendimi 01nr.26/2010 i datës 14.04.2010, Vendimi 01nr.27/2010 i datës 14.04.2010, Vendimi 01nr.38/2011 i datës 12.04.2011 dhe Vendimi 01nr.54/2011 i datës 04.05.2011. Nuk ekziston asnjë vendim tjetër i lëshuar pas kësaj date në shkresat e lëndës për të cilat i akuzuari L. do të mund të akuzohej; edhe pse në dispozitiv thuhet se “…ndërsa vendimet tjera nuk kanë asnjë bazë juridike…” në shkresat e lëndës nuk ka vendime tjera. Për më tepër, duhet të theksohet se edhe ekspertizat e kryera për këtë pikë të aktakuzës, janë kryer vetëm për këtë periudhë kohore, pra për vitet 2008 deri 2011. Nga ekspertiza e fundit theksohet se periudha që është kryer ekspertiza është 2008 – 2012, por të gjitha provat e vlerësuara nga ekspertët, duke përjashtuar raportet policore, janë për periudhën 2008 – 2011, kurse disa fatura të vitit 2012 janë për sendet të dhëna si subvencion në vitet paraprake. Këtu duhet theksuar se i akuzuari I.I. nuk ka qenë Drejtor i Drejtorisë për Bujqësi përgjatë gjithë periudhës kohore 2008 – 2014 siç është akuzuar, sepse në Nëntor të vitit 2013 e ka lënë këtë pozitë.

Vepra penale për të cilën akuzohen të akuzuarit P.L. dhe I.I. kryhet me veprim apo me mosveprim. Nga përshkrimi i gjendjes faktike në pikë II të aktgjykimit të ankimuar rezulton se veprimi i të akuzuarit L. është lëshimi i vendimeve të lartcekura, ndërsa mosveprimi për të dy të akuzuarit sa i përket mos mbikëqyrjes së komisionit për mbikëqyrjen e punëve dhe mos mbikëqyrjen e biznesit që ka ndarë subvencionet. Por, nuk mund të kuptohet se ku ka qenë bashkëveprimi i të akuzuarve. Thuhet se i akuzuari L. në cilësinë e Kryetarit të Komunës ka lëshuar vendimet për ndarje të subvencioneve, ndërsa për të akuzuarin I., përveç që theksohet se ka keqpërdor detyrën në cilësinë e ish-Drejtorit të Drejtorisë për Bujqësi, se nuk ka bërë mbikëqyrjen e komisionit dhe biznesit, nuk ka asnjë veprim tjetër inkriminues për të. Pra, nuk është sqaruar se si bashkëvepruan i akuzuarit L. dhe I..

Sa i përket vendimeve të lëshuara nga i akuzuari P.L. dhe bazën ligjore të tyre, ekspertiza e ekspertëve të Fakultetit Ekonomik e ka sqaruar drejtë. Sipas ekspertizës dhe legjislacionit në fuqi në kohën kur janë lëshuar vendimet (vitet 2008 – 2011), Bordi i Drejtorëve të Komunës së Gjakovës të Kryesuar nga Kryetari i Komunës, këtu i akuzuari P.L., ka lëshuar vendimet duke u bazuar në nenin 27.5 të Rregullores së UNMIK-ut 2007/30 në vendimin 01nr.06-45/2008, ndërsa vendimet tjera duke u bazuar në nenet 13 dhe 58 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale (Ligji nr. 03/L-040). Në atë kohë nuk kishte Ligj që rregullonte ndarjen e subvencioneve, por ishte nën kompetencën e Bordit të Drejtorëve të merr vendime, siç edhe ka ndodhur.

Nga aktgjykimi i ankimuar nuk është e qartë se pse nuk i është falur besimi ekspertizës së ekspertëve të Fakultetit Ekonomik e cila në mënyrë të detajuar shpjegon ligjet e zbatuara në kohën e pretenduar se janë kryer veprat penale. E vetmja gjë që thuhet në aktgjykimin e ankimuar që kësaj ekspertize nuk i falet besimi është se nuk e ka përcaktuar dëmin, sepse janë 253 përfitues të subvencioneve që janë pagesa të pa mbuluara e që sipas ekspertit Q.H. këto pagesa përbëjnë shumën prej 69,786.00 euro. Për Gjykatën e Apelit kjo është e paqarët për faktin se siç është theksuar më lartë për pikën I të aktgjykimit të ankimuar ndaj të akuzuarit G.R., kjo shumë rezulton të jetë e pa llogaritur mirë, se nëse për 259 sasi të subvencionuara shuma e përgjithshme është 39,904.13 euro, atëherë nuk mund të kuptohet se për cilat sasi ka rezultuar shuma 69,786.00 euro. Në anën tjetër nuk ka asnjë proces të komisionit të pranimit të mallrave që konstatojnë pranimi e mallit për 253 përfitues të cilat nuk janë llogaritur. Sipas gjetjeve të Gjykatës së Apelit ekzistojnë dy fatura identike të përsëritura për shërbimin e njëjtë dhe e paguar dy herë e që vlera e njërës është 39,904.13 euro, ndërsa pagesa për të dyja është 79,808.26 euro. Por, kjo çështje mbetet e pavërtetuar nga ana e Gjykatës së shkallës së parë se si është proceduar kjo pagesë dhe kush është përgjegjës për procedimin e këtyre dy faturave.

Një çështje tjetër që është e paqartë nga përshkrimi i gjendjes faktike në dispozitivin e pikës II është se fillimisht thuhet se i akuzuari P.L. ka lëshuar vendime që mbulojnë shumën prej 235,400.00 euro, pastaj kinse paska vendime tjera pa bazë juridike që shkon shuma deri në 631,671.82 euro, ndërsa dëmi i shkaktuar buxhetit të Komunës së Gjakovës është 69,786.00 euro. Për Gjykatën e Apelit kjo çështje mbetet plotësisht e pavërtetuar, por në një masë edhe e palogjikshme.

Siç u theksua me lartë, në shkresat e lëndës gjenden vetëm tetë vendime të cilat i ka lëshuar i akuzuari P.L., ku pesë nga to (Vendimet 01nr.06-45/2008, 01nr.136/2008, 01nr.32/2009, 01nr.26/2010, 01nr.119/2009) janë për aprovimin e kërkesave të Drejtorisë për Bujqësi dhe mbështetjen financiare për subvencionimin e bujqve të rajonit të Gjakovës që në total përbëjnë shumën prej 253,400.00 euro, ndërsa tri tjera janë për lejimin e pagesave për subvencione (Vendimet 01nr.27/2010, 01nr.38/2011 dhe 01nr.54/2011) që në total përbëjnë shumën 380,000.00 euro. Për Gjykatën e Apelit është e paqartë se cilat janë vendimet tjera pa bazë juridike që kapin shumën prej 631,671.82 euro, por e paqartë është edhe arsyetimi se cila është shuma që pretendohet se është dëmtuar Komuna e Gjakovës.

Sa i përket pretendimeve për mos mbikëqyrjen e komisionit për mbikëqyrjen e punëve dhe mos mbikëqyrjen e biznesit nga ana e të akuzuarve P.L. dhe I.I., kjo Gjykatë gjen se ky veprim apo mos veprim nuk është inkriminues. Komisionet e caktuara për mbikëqyrjen e punëve dhe pranimin e punëve të kryera, në rastin konkret për verifikimin e mallit të dhënë si subvencion, si dhe lista e personave që kanë përfituar nga subvencionet, është nën përgjegjësin e anëtarëve të komisionit të cilët kanë përpiluar proces për pranimin e punëve rreth shpërndarjes së farës së grurit dhe pleh. Çdo ndërhyrje në punën e komisionit do të mund të konsiderohet ushtrim i ndikimit nga eprorët në anëtarët e komisionit. Por, edhe nëse lejohet mbikëqyrja e komisionit nga ana e të akuzuarve, e një gjë e tillë nuk është ndërmarr, po që se vërtetohet, duhet të vërtetohet edhe qëllimi i mos mbikëqyrjes, në të kundërtën mbetet vetëm një veprim apo mos veprim për të cilën mund të zhvillohet procedurë disiplinore për mos përmbushje të detyrave, e jo vepër penale.

Andaj, në rigjykim Gjykata e shkallës së parë duhet ti merr parasysh të lartcekurat dhe ti mënjanoj paqartësitë duke administruar provat përsëri dhe të vërtetoj me saktësi se kur është koha e pretenduar e kryerjes së veprës penale në raport me provat në shkresat e lëndës, respektivisht kur kanë vepruar apo nuk kanë vepruar të akuzuarit, të vërtetoj se cilat vendime janë lëshuar pa bazë juridike, si është kryer vepra në bashkëkryerje, si kanë bashkëvepruar të akuzuarit, si është shkaktuar dëmi nga të akuzuarit dhe cili është dëmi që pretendohet. Duhet të vlerësohen të gjitha ekspertizat dhe të jepet një arsyetim se pse i falet besimi vetëm njërës ekspertizë e jo tjerave të cilat kanë përputhshmëri me njëra tjetrën, dhe pas sqarimit të çështjeve të lartcekura Gjykata do të mund të merr aktgjykim të drejtë dhe të ligjshëm.

Pika III e aktgjykimit të ankimuar ndaj të akuzuarit V.H.

Lidhur me pikën III të dispozitivit të aktgjykimit të ankimuar, edhe këtu përcillet paqartësia e kohës së kryerjes së veprës penale. Sipas përshkrimit faktik rrjedh se vepra është kryer përgjatë viteve 2008 – 2014, kur i akuzuari V.H. ka dhënë të dhëna të pasakta lidhur me përfituesit e subvencioneve se kinse kanë përfituar nga subvencionet, por që në realitet një numër i madhe i përfituesve nuk ka pranuar subvencione dhe me këtë veprim ka dëmtuar buxhetin e Komunës së Gjakovës në vlerë prej 69,786.00 euro.

Sipas provave të administruara rrjedh se kemi të bëjmë me përfituesit e subvencioneve prej vitit 2008 deri në vitin 2011. Të gjitha raportet e komisioneve për pranimin e mallit, respektivisht për ndarjen e farave dhe plehut bujqve të Komunës së Gjakovës janë nga viti 2008 deri në vitin 2010. Për vitin 2011 nga ekspertiza e ekspertëve të Fakultetit Ekonomik rezulton të jetë zero fermer që kanë aplikuar e ky informacion vije nga Njoftimi i DBPZHR i datës 08.02.2016.

Në anën tjetër, sa i përket dëmit të shkaktuar, aktakuza përsëri lidhet me shumën e njëjtë si për të akuzuarit G.R., P.L., I.I., e që kjo shumë është 69,786.00 euro. Nëse e shikojmë përshkrimin faktik nga pika e parë e dispozitivit për të akuzuarin G.R., i bije që kemi të bëjmë me urdhër-pagesat për shumë identike siç e kemi sqaruar më lartë, e që thuhet se është shkaktuar dëmi në shumë prej 69,786.00 euro, pastaj nëse e shikojmë nga përshkrimi faktik nga pika e dytë e dispozitivit, rrjedh se një numër i madh i përfituesve të subvencioneve në realitet nuk kanë përfituar fare dhe kjo ka shkaktuar dëm në shumë prej 69,786,00 euro, si dhe në fund për të akuzuarin V.H. i cili dyshohet se ka jep të dhëna të pasakta për përfituesit e subvencioneve me këtë ka shkaktuar dëm Komunës së Gjakovës në shumë prej 69,786.00 euro.

Nëse ndërlidhemi me ekspertizën e ekspertit të ndjerë të cilës i ka falur Gjykata e shkallës së parë besimin, atëherë kemi të bëjmë me 253 përfitues të cilët nuk janë llogaritur e që shuma për ta është 69,786.00 euro. Nëse shikojmë dy urdhër-pagesat C-68466/12 e datës 10.05.2012 dhe C-226613/12 e datës 21.08.2012, të lëshuara sipas faturave identike të Kompanisë “U…” të lëshuara me datë 08.05.2012, respektivisht me datë 17.08.2012, atëherë kemi të bëjmë me 259 përfitues të subvencioneve. Kjo është në përputhje me procesin e komisionit për pranimin e punëve rreth shpërndarjes së farës së grurit dhe plehut me numër 08/320 të datës 19.11.2010, të cilët konstatojnë se janë shpërndarë subvencione 259 përfituesve. Sipas faturave, vlera për 259 përfitues ishte 39,904.13 euro. Kjo shumë rezulton se ishte paguar dy herë për të njëjtin send.

Andaj, nga të lartcekurat për Gjykatën e Apelit është e paqartë se çka pretendohet se ka bërë i akuzuari V.H. pas vitit 2011 e deri me 2014, si i atribuohet dëmi i shkaktuar këtij të akuzuari, njëjtë sikur të akuzuarve tjerë dhe cili është dëmi real që është shkaktuar dhe a është dëmi i shkaktuar për 259 përfituesve apo 253 përfituesve, dhe sa ka qenë vlera për një përfitues në mënyrë që të llogaritet drejtë dëmi nëse është shkaktuar, sepse nëse shuma sipas faturës për 259 përfitues ishte 39,904.13 euro, si mund të jetë shuma e dëmit të shkaktuar për 253 përfitues të pa llogaritur 69,786.00 euro.

Asnjë nga këto nuk jep shpjegim Gjykata e shkallës së parë e që ndërlidhen edhe me pikat I dhe II të aktgjykimit të ankimuar. Andaj, në rigjykim edhe për këtë pikë, Gjykata e shkallës së parë duhet të administroj të gjitha provat dhe me rastin e trajtimit të tyre të vlerësoj nëse duhet të dëgjoj prapë ekspertët lidhur me të lartcekurat, të përcaktoj kohën e pretenduar të kryerjes së veprës penale në raport me provat që gjenden në shkresat e lëndës, të ri-vlerësoj çështjen e pretendimeve për dëmin e shkaktuar dhe pas sqarimit të gjitha këtyre vërejtjeve të merr aktgjykim të drejtë dhe të ligjshëm.

* * *

Nga të lartcekurat kjo Gjykatë gjen se pretendimet ankimore të mbrojtësve të akuzuarve për çështjet që janë elaboruar janë të bazuara. Sa i përket pretendimit të mbrojtësit të akuzuarit I.I. se ekspertiza e ekspertit Q.H., i cili ka vdekur dhe mbrojtja nuk ka pas mundësi që ta ballafaqoj të njëjtin me gjetjet e tij, dhe për këtë arsye kjo ekspertizë është provë e papranueshme, kjo Gjykatë gjen se ky pretendim është i pabazuar për faktin se neni 338 par. 1 nën par. 1.1 të KPPRK-së, lejon leximin e konstatimit dhe mendimit të ekspertit i cili ka vdekur, por që kjo ekspertizë duhet të vlerësohet në raport me të gjitha shkresat e lëndës dhe ekspertizat tjera dhe të peshohet vlera provuese e saj në këtë çështje penale.

Pika IV e aktgjykimit të ankimuar ndaj të akuzuarit V.H.

Sa i përket pikës IV të aktgjykimit të ankimuar për të akuzuarin V.H., Gjykata e Apelit gjen se mjaftueshëm është vërtetuar gjendja faktike, se i akuzuari i është shmangur tatimit duke fsheh të dhënat e biznesit tij e që kanë të bëjnë me tatimin, të ardhurat personale dhe kontributet pensionale, duke i deklaruar një qarkullim më të vogël e me këtë ka bërë shmangie në shumë totale prej 24,718.59 euro, dhe për këtë me të drejtë Gjykata e shkallës së parë e ka shpallur fajtor të njëjtin.

Kjo gjendje faktike është vërtetuar në bazë të ekspertizave të ekspertit R.B. dhe e konfirmuar sa i përket shumës së saktë të shmangies nga ekspertiza e ekspertëve të Fakultetit Ekonomik. Nga këto ekspertiza rezulton se përgjatë viteve 2010 – 2015 i akuzuari ka dhënë deklarime të pavërteta për tatimin mbi vlerën e shtuar, tatimin në të ardhura personale dhe kontributet pensionale. Sipas gjetjeve të ekspertëve rezulton se i akuzuari nuk ka deklaruar për TVSH e që shuma për këtë shmangie është 13,097.04 euro, nuk ka deklaruar saktë për të ardhura personale e që shuma e shmangur është 7,376.07 euro, dhe për shmangie nga kontributet pensionale shumën prej 3,435.48 euro, e që shuma e gjithmbarshme është 24,718.59 euro. Gjykata e Apelit gjen se në dispozitiv Gjykata e shkallës së parë kohën e kryerjes së veprës penale e ka shënuar gabimisht 2010 – 2014, por që duhet të jetë 2010 – 2015, sepse ashtu është edhe aktakuza, si dhe ekspertizat janë kryer për këto pesë vite.

Pretendimi i mbrojtjes se ekspertët nuk e kanë definuar shmangien nga tatimi për të akuzuarin për secilin vit veç e veç, është e pabazuar sepse ekspertët në ekspertizën e tyre të datës 15.08.2020 kanë dhënë vlerësim për secilin vit veç e veç dhe në fund për pesë vite e kanë mbledhur shumën totale. Andaj, nuk qëndron ky pretendim ankimor i mbrojtjes. Sa i përket pretendimit ankimor se i akuzuari është ngarkuar me TVSH nga ekspertët në mënyrë të shabllonizuar, po ashtu është pretendim i pabazuar sepse ekspertët kanë has në mbingarkesë të TVSH-së nga ana e ATK-së dhe për këtë kanë konstatuar se vlera e mbingarkuar nga ATK për TVSH është 2,379.47 euro, e po ashtu edhe për tatimin në të ardhura personale në shumë prej 8,435.88 euro, që gjithsej bëjnë 10,815.35 euro. Pra, ekspertët kanë vlerësuar të gjithë dokumentacionin dhe kanë ardhur në përfundim se ka edhe shumë për të cilën është mbingarkuar i akuzuari, por që kjo pjesë e mbingarkesës është e ndarë nga pjesa e shmangur. Pretendimi tjetër i mbrojtjes se i akuzuari është ngarkuar edhe për mos pagimin e kontributeve pensionale në shumë prej 3,435.48 euro, i cili kontribut i veçantë i të hyrave për trustin pensional të Kosovës nuk e dëmton buxhetin e Kosovës, kjo Gjykatë gjen se edhe shmangia nga pagesa e kontributeve pensionale është element i veprës penale të shmangies nga tatimi sepse vet vepra penale nga neni 249 par. 1 e KPK-së e inkriminon në mes tjerash edhe shmangien nga kontributet tjera të përcaktuara me ligj. Në rastin konkret kontributet pensionale janë të përcaktuara me ligj dhe shmangia nga ky kontribut përbën vepër penale. Andaj, edhe ky pretendim i mbrojtjes është i pabazuar.

Sa i përket vendimit mbi dënim Gjykata e Apelit pajtohet me gjetjet e Gjykatës së shkallë së parë lidhur me rrethanat lehtësuese dhe rënduese, ku si rrethana lehtësuese ka gjetur se i njëjti është mbajtës i vetë i familjes pesë anëtarësh, ka mbajtur qëndrim korrekt gjatë shqyrtimit gjyqësor, nuk ka qenë më parë i dënuar nga ana e gjykatës dhe se koha e gjatë e kaluar nga kryerja e veprës penale, ndërsa si rrethana rënduese nuk ka gjetur.

Gjykata e Apelit pajtohet me gjetjet e Gjykatës së shkallës së parë përkitazi me rrethanat të vlerësuara si më lartë, dhe vlerëson se dënimi i shqiptuar së në dispozitiv të këtij aktgjykimi është në përputhje me peshën e veprës penale, me shkallën e përgjegjësisë penale të të akuzuarit dhe me intensitetin e rrezikimit të vlerave të mbrojtura të shoqërisë. Gjithashtu kjo Gjykatë është e bindur se vendimi mbi dënim do të shërbej për arritjen e qëllimit të dënimit në pengimin e të akuzuarit në kryerjen e veprave penale në të ardhmen, por ai do të ndikoj edhe si preventivë e përgjithshme për personat tjerë që të përmbahen nga kryerja e veprave penale në përputhje me nenin 34 të KPK-së.

Sa i përket kompensimit të palës së dëmtuar, kjo Gjykatë pajtohet me vendimin e marr nga Gjykata e shkallës së parë për detyrimin e të akuzuarit që të kompensoj dëmin e shkaktuar sipas gjetjeve të ekspertizës së ekspertëve të fakultetit Ekonomik, por që kjo Gjykatë gjen se afati për pagës duhet të jetë më i shkurt, respektivisht në gjashtë muaj si afat i arsyeshëm për të bërë kompensimin, në të kundërtën shuma do të përmbarohet.

Sa i përket shpenzimeve të procedurës, duke pas parasysh që në këtë çështje penale kemi disa ekspertiza për të cilat ekspertët e ndryshëm janë paguar nga shpenzimet e gjykatës dhe prokurorisë, dhe meqenëse këto ekspertiza janë kryer për të gjithë të akuzuarit dhe sa i përket procedurave të ndarjes së subvencioneve, si dhe për të akuzuarin V.H. edhe për vepër penale të shmangies së tatimit, atëherë shpenzimet duhet të ndahen dhe të llogariten vetëm për këtë vepër penale për të akuzuarin V. dhe të ngarkohet vetëm për pjesën e përgjegjësisë së tij. Këtë përllogaritje duhet ta bëjë Gjykata e shkallës së parë në kuptim të nenit 451 të KPPRK-së.

Nga se u tha më lartë u vendos si në dispozitiv të këtij aktgjykimi, konform nenit 401 dhe 402 të KPPRK-së.