Shoferi i dehur në Prishtinë sulmon fizikisht policin që e ndali për kontroll, përfundon në mbajtje

Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpesh herë kërcënimet verbale eskalojnë edhe në sulme fizike ndaj tyre, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur së fundi në rrugën ‘Ahmet Krasniqi’ në Prishtinë, ku një njësi policore që po patrullonte në atë zonë ka ndalur për kontroll një veturë.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 33-vjeçari nën ndikimin e alkoolit ka pasur sjellje agresive ndaj zyrtarëve policorë, çka ka bërë që ai të vihet në pranga dhe të shoqërohet në stacion policor.

I njëjti dyshohet se në stacion ka sulmuar një polic, duke i shkaktuar atij lëndime trupore.

I dyshuari me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje dhe do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Sulm ndaj personit zyrtar’.