“Shqetësues”: AAK mobilizohet kundër draft-statutit të Asociacionit

103

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka vlerësuar si shqetësues e me pasoja për Kosovën draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe të propozuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, disa ditë pasiqë e ka pranuar atë.

AAK paralajmëron edhe protesta, nëse Qeveria e Kosovës e pranon draft-staturin aktual të popozuar nga euro-amerikanët.

Në mbledhjen e Kryesisë së AAK-së, që është mbajtur dje është diskutuar lidhur me draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Nga AAK kanë bërë të ditur se gjatë takimit janë shprehur sheqetësime dhe kritika për draft-statutin e Asociacionit të propozuar nga ShBA dhe Bashkimi Evropian.

“Kryesia e AAK-së sot ka zhvilluar një diskutim me tone shumë kritike për draft-statutin e Asociacionit. Janë shprehur shqetësimet për përmbajtjen e tij, veçanërisht për referimin në Rezolutën 1244, komisionin e arbitrazhit, si dhe raportin paralel të Asociacionit me institucionet e pushtetit qendror. Komentet e AAK-së me vërejtjet nen për nen do të publikohen në ditët në vijim”, ka thënë AAK në një komunikatë për media.

Shefi i Grupi Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, është shprehur i shqetësuar me përmbajtjen e draft-statutit të Asociacionit.

Me anë të një postimi në Facebook, Tahiri ka përmendur çështjet që duhet të eleminohen prej draftit nga Gjykata Kushtetuese.

“Kryesia e AAK-së sot ka zhvilluar një diskutim me tone shumë kritike për draft-statutin e Asociacionit. Në takim i paraqita komentet e mia në një dokument 8 faqësh, duke theksuar se ky Statut ka disa probleme serioze të cilat duhet të adresohen në Gjykatën Kushtetuese. Neni 42, Komisioni i Arbitrazhit është i papranueshëm, arsimi dhe shëndetësia si dhe çështjet sociale duhet të rihartohen/përmirësohen nga Gjykata Kushtetuese dhe ‘Super struktura’ të dobësohet, sepse ashtu siç është tani, kjo strukturë organizative është shumë e fuqishme. Në fakt kjo strukturë me këto organe nuk i ngjan Statutit të Asociacionit të Komunave të Kosovës e as modeleve evropiane të Aspciacioneve”, ka shkruar ai, duke përmendur edhe problemet tjera.

“Në një pjesë të konsiderueshme të këtij dokumenti, gjuha është politike me dykuptimësi dhe mundësi interpretimi të dyfishtë nga palët. Në vlerësimin tim, ky është një statut që në mënyrë të sofistikuar ka inkorporuar kompetenca tepër përmbajtësore. Shpresoj që Gjykata Kushtetuese ta bënë punën e vet”, ka shkruar Tahiri.

Ndërsa, zyrtari tjetër i lartë i kësaj partie, Pal Lekaj, ka paralajmëruar edhe protesta nëse Drafti pranohet ashtu siç është aktualisht.

“Lufta jonë kryesore demokratike do të jetë në Kuvendin e Kosovës dhe nëse ky dokument ndodh do të thotë Qeveria e pranon mendoj që atëherë nuk mbetet diç tjetër përpos të protestohet edhe atë fuqishëm të kërkohet mbështetje nga qytetarët sepse po bëhet një dëm i madh shtetit të Kosovës”, tha Lekaj.

Ish-deputeti, Daut Haradinaj, ka thënë se janë unik në parti sa i përket pasojave që shpërfaqë draft-statuti i Asociacionit në fjalë.

“Njëzëri për pasojat e ASK që tashmë Kryeministri Kurti e ka pranuar, kjo si derivat i tij, që me vite refuzoi që Kosova vet ta krijojë këtë statut. Tash të shohim, por Kosova e 17 shkurtit të 2008, nuk do ta ketë formatin e njëjtë, as kushtetues e as ligjzbatues nëse kalon ky version i draft-statutit pa u ndryshuar”, ka thënë Daut Haradinaj.

Edhe vetë kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, dy ditë me parë tha se draft-statuti për Asociacionin, të cilin e ka propouar diplomacia perëndimore është shqetësues.

“I gjithë dokumenti është shqetësim, logjika e dokumentit është shqetësuese, janë disa pika që janë shumë domethënëse, siç është rasti i arbitrazhit me të cilin bije fuqia e cilitdo institucion ligjor në Kosovë”, ka thënë Haradinaj në ‘RTK Prime’.