Publikohet raporti i IKSHPK-së

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se në 24 orët e fundit në Kosovë janë regjistruar 20 raste të reja me coronavirus, pas testimit të 1.870 mostrave.

Në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë, i cili i referohet raportit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), thuhet se në 24 orët paraprake janë shëruar edhe 12 pacientë, kurse janë edhe 322 raste aktive.

Në 24 orët paraprake janë dhënë 2.074 doza të vaksinave kundër coronavirusit.

Prej fundit të marsit – kur nisi fushata e imunizimit – e deri më 22 dhjetor, në Kosovë me dy doza të vaksinës janë imunizuar 778, 403 qytetarë.

Ndërkaq, që prej fillimit të dhjetorit, personat mbi 18 vjeç mund të marrin edhe dozat përforcuese dhe ato të treta të vaksinës.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka bërë sot të ditur se personat të cilët marrin dozën përforcuese të vaksinës COVID-19 ose edhe dozën e parë ose të dytën, gjithashtu rekomandohet të marrin edhe vaksinën e gripit sezonal.

IKShPK thekson se meqenëse Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar sezon shumë më agresive të gripit sezonal 2021/2022, atëherë MSh ka siguruar doza të gripit sezonal në sasi të mjaftueshme që situata epidemiologjike të jetë sa më e mirë.