Shqipëria bojkoton ceremoninë e ndarjes së Çmimit Nobel për Peter Handke

Shqipëria do të bojkotojë ceremoninë e ndarjes së Çmimit Nobel për letërsi për Peter Handken, transmeton fokusi.info.

Njoftimin për këtë e ka dhënë Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj.

Njoftimi:

Duke qenë thellësisht të bindur se arsyetimi dhe lavdërimi i krimeve të luftës është pengesë për shpirtin e pajtimit që duhet të mbizotërojë në rajon, ne kemi urdhëruar Ambasadorin e Shqipërisë në Suedi që të bojkotojë ceremoninë solemne të ndarjes së Çmimit Nobel për Letërsi për Peter Handken.

Çdo shpërblim i personaliteteve që kanë mohuar gjenocidin edhe nëpërmjet veprave të tyre letrare, vetëm forcon prirjet për t’iu shmangur përgjegjësive historike dhe relativizuar peshën e rëndë të krimeve të luftës, pastrimit etnik dhe gjenocidit.

Ndaj, Shqipëria do të bojkotojë ceremoninë zyrtare të ndarjes së Çmimit Nobel për Letërsi.

Përkushtimi ynë, ndërkaq, do të vazhdojë për promovim të marrëdhënieve të mira fqinjësore bazuar në vlerat e patjetërsueshme të së vërtetës dhe në përputhje me kërkesat më të larta të drejtësisë.