Qeveria po i merrë paratë nga Fondi i Mirëbesimit për ta paguar rrymën në veri, BE-ja i del kundër

Afro 12 milionë euro është shuma që Qeveria vendosi t’ua marrë katër komunave veriore për të shlyer një pjesë të borxhit për rrymën e papaguar nga banorët atje.

Një pjesë të këtyre parave, Ekzekutivi e ka marrë nga Fondi Zhvillimor i Mirëbesimit, i cili është krijuar në vitin 2013 në bazë të marrëveshjes për doganat mes Kosovës dhe Serbisë.

Mirëpo, me këtë veprim nuk pajtohet Bashkimi Evropian.

Zyra e BE-së në Kosovë i ka thënë Dukagjinit se marrëveshja nuk parasheh që paratë e këtij fondi të shpenzohen për qëllime të tilla.

“Aktualisht janë në dispozicion 3.6 milionë euro për disbursimin e projekteve të reja. Pagesa e borxheve të energjisë elektrike nuk plotëson kriteret për financimin e projekteve nga Fondi i Zhvillimit, të përcaktuara në Marrëveshjen e Brukselit për mbledhjen e të ardhurave doganore të datës 17 janar 2013”, thuhet në përgjigjen e zyrës së BE-së në Kosovë.

Dukagjini ka pyetur edhe ministrinë e Financave për vlerën e saktë të marrë nga fondi për të paguar borxhin e rrymës, por tash e dy ditë, ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.

Qëllimi i këtij fondi është t’i zhvillojë dhe integrojë komunat veriore ku serbët që nga paslufta më 1999, nuk u binden vendimeve të institucioneve të Kosovës, por të strukturave paralele serbe që menaxhohen nga Serbia.

Paratë e Fondit grumbullohen nga importi i mallrave përmes pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak, të cilat gjenden në veri të vendit.

Sipas zyrës së BE-së, që nga themelimi i Fondit për Zhvillim, janë ndarë mbi 14.5 milionë euro për projekte të ndryshme për promovimin e zhvillimit socio-ekonomik të katër komunave veriore.

Zubin Potoku dhe Zveçani që udhëhiqen nga PDK-ja janë në mesin e komunave si Mitrovica e Veriut dhe Leposaviqi, të cilat preken nga vendimi i Ekzekutivit. E, kryetarit të Zveçanit, Ilir Peci është hartuar me Qeverinë. Ati thotë se ky vendim është marrë pa u konsultuar fare me të.

“Ta them të vërtetën, as nuk e shoh në mënyrë të rregullt diçka, e as nuk e refuzoj për arsye se Qeveria është ajo që vendos, Qeveria i ka marrë. Qëndroj në mendimin tim se është dashtë me marrë prej çdo kryetari të komunave të veriut, të paktën një mendim”, ka thënë kryetari i Zveçanit, Ilir Peci.

Dukagjini ka provuar të flasë edhe me kryetarët e komunave që udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje, si Mitrovica e Veriut dhe Leposaviqit, por ata kanë qenë të paqasshëm.