Shqipëria gati ta shkruajë historinë, pritjet për kualifikim tejet të larta

Kombëtarja e Shqipërisë do të luajë me Poloninë, në kuadër të kualifikimeve për Botërorin “Katar 2022”.

Kuqezinjtë pas fitores së fundit ndaj Hungarisë, kanë rritur gjasat për kualifikim për në Kampionatin Botëror që do të mbahet në Katar.

Shqiptarët pas kualifikimit historik në Kampionatin Evropian në vitin 2016, që u mbajt në Francë, tani janë para një momenti tjetër historik, këtë herë me në krye italianin Edi Reja.

Lidhur me formën dhe gjasat e Shqipërisë kanë folur për Klankosova.tv, Arbnor Morina, Arsim Prepolli dhe Tahir Lushtaku, ku theksuan se kjo ndeshje do të jetë jetike që Shqipëria ta shkruajë historinë për herë të dytë.

Analist dhe trajneri, Arbnor Morina, tha se do të jetë ndeshje e vështirë.

“Ndeshje e vështirë, por që e gjen Shqipërinë në formë të mirë. Problem në këtë moment është lëndimi i Berat Gjimshitit, dhe do i jep më tepër avantazh Robert Lewandowskit. Nëse selektori Edi Reja vendos për të luajtur me Frederik Veselin, ai është lojtar paksa më i butë në duele”, është shprehur Morina.

Tutje, ai tha se Shqipëria ka gjasa kundër Polonisë, por që duhet të kalohet edhe ‘play-off’.

“Gjasat ekzistojnë, por nëse kalohet Polonia në fund duhet të kalohet edhe ‘play-off”. Uroj që të kalojmë Poloninë dhe të shkruhet historia tani me shkuarje në Botëror”.

“Për momentin Shqipëria po luanë mirë me skemë të qartë, me qarkullim të shpejtë të topit dhe volum të madh vrapimi”, tha Morina.

Trajneri i Drenicës, Tahir Lushtaku, tha se kjo do të jetë njëra prej ndeshjeve më të vështira që ka pasë Shqipëria.

“Është një ndër ndeshjet më të vështira deri tash, me përjashtim Anglinë, sepse e dimë forcën e anglezëve”, tha Lushtaku.

Ai tha se kjo do jetë lojë përcaktuese për t’u kualifikuar në Botëror.

“Është ndeshje vendimtare për Botëror, dhe jam optimist dhe besoj që Shqipëria do ta kalojë, sepse po shihet një mobilizim i përgjithshëm në Kosovë dhe Shqipëri”.

Teksa për sulmuesin e rrezikshëm të Bayern Mynihut, Robert Lewandowskin, ai tha se ka lojtarë te Shqipëria që mund ta ndalin polakun.

“Polonia dihet që bazohet në sulmuesin Lewandowskin, dhe unë besoj që Reja do të përgatis ekipin për ta ndalë Lewandowskin, dhe besoj që ka lojtarë që mund ta ndalin atë”.

Lushtaku tha se pas fitores kundër Hungarisë, sot nëse fiton Shqipëria, do ta sigurojë kualifikimin, teksa gjithashtu shtoi se ajo në vitet e ardhshme do të jetë një skuadër konkurruese.

“Gjasat i ka shumë të mëdha pas fitores kundër Hungarisë, ku besojmë që me një fitore sot ndaj Polonisë, do ta sigurojë kualifikimin, dhe besoj që do të arrijë që ta bëjë krenarë gjithë kombin shqiptar, sikurse herën e kaluar në Evropian, sepse Shqipëria po shihet që nga vit në vit po rritet si kombëtare, dhe besoj që brenda viteve të afërta, Shqipëria do të jetë një skuadër shumë e fortë dhe konkurruese me kombëtaret më të mëdha”, theksoi Lushtaku.

Analist i futbollit, Arsim Prepolli, tha Shqipëria po tregon paraqitje të mira, pavarësisht se polakët kanë një ekip të mirë.

“E dimë të gjithë se polakët kanë një ekip shumë të mirë në krye me Lewandowskin, por në anën tjetër edhe Shqipëria po tregon lojë të mirë, stadiumi do jetë i mbushur plotë që do e kenë përkrahjen e tifozëve në maksimum”.

“Nëse fitojmë sonte ndaj polakëve unë mendoj se gjasat për t’u kualifikuar i kemi të larta”, tha Prepolli.

Shqipëria do të luajë me Poloninë në stadiumin “Air Albania”, ku do të jenë të pranishëm 22 mijë tifozë, nga të gjitha trojet shqiptare.