Shqipëria i vendos sanksione Rusisë: Bllokohen asetet e Putin dhe Lavrov, mbyllet hapësira ajrore për Rusinë

Shqipëria ka ndërmarrë një paketë të plotë sanksionesh ndaj Rusisë. Këto sanksione prekin 654 individë dhe 52 subjekte, ndërsa mbyllet hapësira ajrore e Shqipërisë për Rusinë.

“Ju jemi bashkuar sanksioneve individuale për ngrirjen e aseteve te individëve që shkojnë që nga Presidentit rus, Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, anëtarët e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Federatës Ruse, të cilët mbështetën njohjen e menjëhershme nga ana e Rusisë të dy zonave të kontrolluara joqeveritare të Donjeckut dhe Luhanskut, si entitete të pavarura dhe anëtarët e Dumës Shtetërore Ruse, të cilët ratifikuan vendimin e qeverisë të Traktatit të Miqësisë, Bashkëpunimit dhe Ndihmës së Ndërsjellë ndërmjet Federatës Ruse dhe këtyre dy entiteteve. Në total, këto masa kufizuese do të zbatohen për 654 individë dhe 52 subjekte. Përveç kësaj, është vendosur edhe ndalimi i udhëtimit në territorin shqiptar për personat e listuar nga BE, ndërkohë që lidhur me politikën e vizave është në shqyrtim anulimi i politikave lehtësuese për lëvizjen e diplomatëve, zyrtarëve të tjerë rusë dhe njerëzit e biznesit”, tha Xhaçka

Shqipëria gjithashtu do të ndalojë udhëtimin në territorin shqiptar për personat e listuar nga BE, diplomatë e zyrtarë.

“Hapësira ajrore e Republikës së Shqipërisë do të jetë e mbyllur prej mbrëmjes së sotme për të gjithë operatorët ajrorë rusë apo çdo avion të regjistruar në Rusi, me përjashtim të rasteve kur të tilla fluturime kryen për arsye emergjence, qëllime humanitare apo mjekësore apo nevoja ndërshtetërore”, tha Xhaçka
Ministrja tha se po hartojmë bazën ligjore për zbatimin e këtyre masave shtrënguese dhes e masat do të kenë karakter individual dhe ekonomik, në financë, energji, transport dhe teknologji.

“Në Sektorin e energjisë do të ndalohet shitja, furnizimi, transferimi ose eksportin në Rusi i mallrave dhe teknologjive specifike për rafinimin e naftës dhe do të vendosë kufizime në ofrimin e shërbimeve përkatëse. Në Sektorin e transportit do të ndalohet eksporti që mbulon mallrat dhe teknologjinë në industrinë e aviacionit dhe hapësirës, si dhe do të ketë një ndalim për ofrimin e shërbimeve të sigurimit dhe risigurimit dhe mirëmbajtjes në lidhje me ato mallra dhe teknologji. Do të ndalohet gjithashtu ofrimin e asistencës teknike dhe financiare përkatëse”, ishin disa nga sanksionet e tjera që vendosi Shqipëria.

Pjesë e sanksioneve do të jenë edhe në sektorin e teknologjisë ku do të vendosen kufizime “për eksportet e mallrave dhe teknologjisë me përdorim të dyfishtë, si dhe kufizime në eksportet e mallrave dhe teknologjisë së caktuar, të cilat mund të kontribuojnë në përmirësimin teknologjik të Rusisë në sektorin e saj të mbrojtjes dhe sigurisë”.